Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Fier–Seman, pranë fshatit Hoxharë. Një automjet tip BMW ka goditur nga pas një karrocë me kafshë, duke shkaktuar plagosjen e dy personave.
Si pasojë e përplasjes së fortë, janë lënduar drejtuesi i automjetit, Emiljano Llano, 34 vjeç, banues në Darzezë, dhe drejtuesi i karrocës, Qerim Xhafa, 56 vjeç, banues në Dërmënas. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Fatmirësisht, sipas të dhënave paraprake, të dy kanë pësuar dëmtime të lehta.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.
Policia e Fierit, në një njoftim zyrtar, bën me dije:
“Rreth orës 19:20, në aksin rrugor Fier–Seman, në fshatin Hoxharë, automjeti me drejtues shtetasin E. Ll., 34 vjeç, banues në Darzezë, është përplasur me një karrocë që tërhiqej me kafshë, e cila drejtohej nga shtetasi Q. Xh., 56 vjeç, banues në Dërmënas. Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar lehtë të dy drejtuesit dhe ndodhen në Spitalin Rajonal Fier, në kujdesin e mjekëve.”
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.
Komente
