LEZHË- Një aksident është regjistruar gjatë natës në bulevardin “Gjergj Fishta” në Lezhë. Një automjet tip “Audi” humbi kontrollin pranë varrezave të dëshmoreve dhe mori përpara pesë makina të cilat ishin të parkuara në anë të rrugës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 1 e 30 minuta dhe nga përplasja mori dëmtime të lehta drejtuesi i “Audit” i cili u dërgua për ndihmë mjekësore në urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, nga ku bëhet e ditur se nuk ka probleme për jetën. Ndërkohë policia e cila mbërriti menjëherë më vendin e ngjarjes, nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti që paraprakisht mendohet të ketë ndodhur nga shpejtësia me të cilën lëvizte drejtuesi i “Audit”, duke sjellë humbjen e kontrollit dhe përplasjen me makinat e parkuara në ane të rrugës.
Lëvizja me shpejtësia përgjatë bulevardit “Gjergj Fishta” në qytetin e Lezhës është kthyer me shqetësim dhe rrezik për jetën e qytetareve, ku aksidentet nuk kanë munguar. Gjatë javëve të fundit policia ka shtuar prezencën e saj në këtë segment, duke ndërmarrë një sërë masash administrative ndaj drejtuesve të mjeteve që lëvizin dhe parkojnë në mënyre të parregullt, ndërsa bëhet me dije se do të vendoset dhe një radar nga ana e policisë.