Një aksident tragjik ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut ditën e djeshme, ku viktima mbetën dy vajza të mitura shqiptarë.
Ngjarja u shënua në qytetin e Kërçovës. Viktimat janë dy nxënëse 16-vjeçare, Eriona Ramadani dhe Albina Abazi, nga shkolla e Mesme e Muzikës “Drita”, informon media maqedonase.
Ato humbën jetën në një aksident me motoçikletë pranë fshatit Kolibar.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, shkolla shkruan se humbja e dy nxënëseve ka tronditur thellë komunitetin shkollor.
“Me dhimbje të thellë dhe zemra të tronditura morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të dy nxënëseve tona të dashura, Eriona Ramadani dhe Albina Abazi. Humbja e tyre ka prekur thellë çdo kënd në shkollën tonë dhe ka lënë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Në këto çaste të rënda, stafi pedagogjik, drejtoria dhe gjithë nxënësit e SHMK ‘Drita’ shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjet, të afërmit dhe miqtë e tyre. Qoftë kujtimi i Erionës dhe Albinës i përjetshëm! U prehshin në paqe!”, thuhej ne reagim.
Ndërkohë autoritetet lokale po vijojnë hetimet për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Dy nxënëset që humbën jetën në aksident
Komente
