Lezhë- Një aksident i rëndë, me pasojë humbjen e jetës së një personi ka ndodhur mëngjesin e sotëm (3 Janar) në Lezhë.
Ngjarja u shënua rreth orës 07:00 në Ishull-Lezhë, në aksin Lezhë-Laç, pranë mbikalimit, kur një automjet tip furgon "Benz", është përplasur me një motomjet, ku për pasojë drejtuesi i këtij të dytit mori plagë të rënda dhe më pas ka ndërruar jetë në spitalin e Lezhës.
Viktima është Pavlin Ndoji, 56 vjeç. Policia tha se shoqëroi në Komisariat drejtuesin e mjetit "Benz", me inicialet M.M., dhe po e merr në pyetje.
“Drejtuesi i automjetit, u shoqërua në komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të zbardhur shkakun e aksidentit”.
Gazetari i Report TV, Elvis Hila, informon se Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet për shkaqet dhe rrethanat.
Ky është aksidenti i parë qe ndodh për vitin 2025 në rrugët që përshkojnë qarkun e Lezhës, ndërsa superstrada Lezhë-Laç është një prej akseve më problematike sa i përket aksidenteve rrugore, ku përgjatë viteve numërohen dhjetëra të tillë, me viktima dhe të plagosur.