Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Fushë Krujë-Krujë në afërsi të fshatit Kameras ku një automjet tip ‘Audi’ është përplasur me një furgon.
Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur Nezir Neziri shofer i furgonit dhe Gëzim Hoxha, shofer i mjetit tip ‘Audi’. Gëzim Hoxha është transportuar në spitalin e Krujës ndërsa Nezir Neziri është transportuar drejt spitalit të Traumës për shkak se ka marrë dëmtime në kokë.
Gazetari i Report Tv Julian Shota bën me dije se shkak për aksidentin dyshohet se ka qenë shpejtësia me të cilën udhëtonte ‘Audi’ që vinte nga Kruja dhe hyrja e gabuar e furgonit në rrugë.
Furgoni i përfshirë në aksident transportonte punëtorë të fasonerive por fatmirësisht në momentin kur ndodhi ngjarja, nuk ka pasur punëtorë brenda. Policia ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave.