LEZHE-Një aksident ka ndodhur ditën e sotme (3 shkurt), ku një kamion i pastrimit të qytetit të Laçit, humbi kontrollin dhe u përmbys në superstradën Lezhë-Shkodër, pranë fshatit Mabë.
Nga aksidenti mbeti i plagosur drejtuesi i mjetit të tonazhit të rëndë, i cili u dërgua me urgjence për ndihmë mjekësore në Spitalin e Lezhës, ku fatmirësisht ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave të policisë e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes kamioni ishte i mbushur me mbeturina dhe po shkonte në landfillin e Bushatit, ndërsa nga aksidenti u krijua trafik i rënduar në dy anët e superstradës.
Për zhvendosjen e kamionit dhe largimin e mbeturinave nga rruga u deshën më shumë se dy orë punë, ku u angazhuan dhe shërbimi zjarrfikës i Lezhës.
Ndërkohë drejtuesi i kamionit ka deklaruar se tentoi të shmang një mjet që po i vinte përballë, duke bërë që të humb kontrollin dhe të përmbyset në anë të rrugës.