Arlind Miha, drejtuesi i automjetit tip'Benz' që u përfshi në aksidentin tragjik dje në aksin Milot-Rrëshen i është komikuar sot masa e arrestit në spital. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit të rëndë, ku humbën jetën 3-vjeçari bashkë me të atin Shkurt Prenga, është bërë një parakalim i gabuar i kryer nga Miha.
Ngjarja u regjistrua pasditen e djeshme, rreth orës 16:30, në afërsi të Milotit. I mituri me iniciale O.P., ishte në sediljen e pasme të makinës tip ‘Opel, ndërsa po udhëtonte bashkë me dy prindërit kur u përplasën me makinën tip ‘Benz’ i cili shpërtheu menjëherë në flakë. Ndërsa makina ku udhëtonin tre anëtarët e familjes Prenga nga fshati Rrilë i Lezhës është përplasur me tej me barrierat mbrojtëse të rrugës duke përfunduar si grumbull hekurishtesh.
I mituri ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa disa minuta pas të birit gjeti vdekjen edhe i ati, pasi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra. Nga aksidenti u plagos dhe zonja e shtëpisë, Fabiola Prenga e cila ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
Burime për Report Tv thanë se familja Prenga udhëtonte nga fshati Rrilë i Lezhës në drejtim të Mirditës. 30 vjeçari me gruan dhe djalin ishin nisur të takonin dajat për festa, pasi më pas Shkurt Prenga kishte planifikuar të shkonte në Itali, ku ishte zhvendosur prej disa muajsh.
Në gjendje të rëndë ndodhet edhe Arlind Mihaj, i cili përveç plagëve të aksidentit mësohet se ka pësuar edhe djegie. Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë vijojnë ende.