Kronikë

Aksidente dhe trafik, Selimaj: 35 shoferë nën hetim për parkimet dysh, tre faktorët që rrisin rrezikun në rrugë! Kemi shtuar masat

24 Korrik, 14:07| Përditesimi: 24 Korrik, 14:17

  • Share

Shtimi i përdoruesve të mjeteve në vend, popullsisë në Tiranë, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor mbeten tre nga shkaqet kryesore të aksidenteve dhe trafikut të rënduar në vend.

Në këtë kuadër është vendosur që të ashpërsohen edhe masat ndaj drejtuesve të mjeteve që pengojnë jo vetëm qarkullimin normal, por edhe bëhen burim aksidentesh e trafiku, si rasti i aplikimit të procedimeve penale për parkimet dyshe.

Kështu u shpreh Artur Selimaj, shef i Sektorit të Sigurisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për emisionin “Sot, Live në Shqipëri’, në Report Tv.

Ai i dha përgjigje disa prej pyetjeve të moderatorit Nertil Agalliu, që lidheshin me situatën më të fundit të sigurisë rrugore në vend, duke marrë shkas edhe nga vala e aksidenteve tragjike të ditës së djeshme, me 6 viktima dhe 12 të plagosur.

Selimi konfirmoi se Policia Rrugore do veprojë me dorë të hekurt, edhe me burgosje për ata që parkonin dysh, duke thënë se deri tani janë proceduar 35 shoferë për këtë shkelje të Kodit Rrugor.

“Parkimet dysh janë një fenomen dhe shqetësim, po merren masa për zgjidhjen e problematikës dhe po veprohet ndaj shkelësve sipas Kodit Rrugor dhe masave të parashikuara. Deri tani 35 raste të proceduara penalisht për parkimet dyshe”, tha zyrtari i Rrugores.

Por a funksionojnë këto masa?

“Patjetër që funksionon, në të gjitha rastet, nëse ajo ngrihet me forcë nga organet ligjzbatuese, por nuk duhet të jetë vetëm fushatë e caktuar. Patjetër që kërkohet një plan organizativ, kemi hartuar planin e masave për goditjen e këtij fenomeni, siç kemi bërë edhe me të tjerat në vijim të punës së këtij procesi. Por qytetarët të mos kryejnë shkelje të kësaj kategorie, pasi bëhen pjesë në pengesën e mjeteve të emergjencës dhe qytetarëve, si dhe krijimit të një trafiku në kryeqytet dhe rrethe”, u shpreh ai.

Por cilët janë faktorët kryesorë të aksidenteve dhe trafikut të rënduar që krijohet, sidomos në kryeqytet dhe në vijën bregdetare gjatë sezonit veror. Për Selimajn mbeten tre shkaqet kryesore, për të cilat hartohen herë pas here masa me shërbime dhe pajisje të modernizuara e bashkëkohore.

“Ka disa faktorë, nuk është vetëm çështja e Policisë Rrugore, qytetarëve apo mjeteve. Faktori kryesor mbetet rritja e shpejtë e numrit të banorëve në Tiranë, ku ky fenomen është më i dukshëm. Është rritur ndjeshëm edhe numri i përdoruesve të automjeteve në kryeqytet dhe rrethe. Kemi marrë masa për të zgjidhur këto problematika, që të mos bëhen pengesë e trafikut. Kurse shkaqet kryesore për aksidentet bëhen shpejtësia, parakalimi i gabuar si rasti i djeshëm që solli edhe pasoja të rënda me dy të vdekur, përdorimi i telefonit, por edhe rritja e përdoruesve të motomjeteve. Janë rritur gjobat për shkeljet e kryera, që influencojnë edhe në aksidente”, shpjegoi zyrtari i policisë.

Selimi shpjegoi edhe arsyet përse aksidentet shtohen gjatë muajve të verës, duke thënë se edhe për këtë fenomen ka faktorë të ndryshëm, duke vënë në dukje edhe masat konkrete.

“Gjatë sezonit veror ndikojnë së tepërmi në trafik dhe aksidente fluksi i mjeteve dhe pushuesve, lëvizja e lartë në rrugë, temperaturat e larta dhe shkeljet që bëhen nga drejtuesit. Kemi një hartë të pikave të zeza të aksidenteve në vend, kemi shtuar edhe patrullat rrugore, me plan masash e mjete, me qëllim menaxhimin e fluksit dhe ndihmën ndaj policive në rrethe të tjera. Është shtuar edhe numri i radarëve kontrollues. Ka shtim efektivësh edhe në akset problematike dhe të rrezikshme në vend, të evidentuar si njolla të zeza. Ka edhe përdorim të dronëve dhe pajisjeve apo makinave inteligjente që i vijnë në ndihmë aksioneve. Përdoren kryesisht në akset më të rëndësishme, si autostrada, por edhe rrugët ku ka fluks të lartë mjetesh. Kemi një paketë të tërë masash që zbatohen gjatë sezonit turistik dhe periudhave të tjera të vitit”, përfundoi Selimaj.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sigurim i detyrueshëm i banesave ose s’merr shërbim nga shteti, si ju duket?