Eksperti rrugor, Fatmir Hasho i ftuar në Report Tv foli për numrin në rritje të aksidenteve në muajin prill, krahasuar me një vit më parë. Hasho thotë se për të ulet numrin e aksidenteve, një masë urgjente është heqja e patentave.
“Nëse nuk hiqet vendimi i Drejtorisë së Policisë për mos heqjen e lejes së drejtimit dhe zëvendësimi me dyfishim gjobe, do kemi prapë këtë gjendje, duhet të hiqet ky rregull. Nëse si penalizojmë me heqjen e lejes së drejtimit këta kamikazë, do vazhdojmë të kemi ngjarje të tilla”, tha Hasho.
Për ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, eksperti thotë se ‘kamikazët’ duhet të penalizohen me heqjen e patentës, pasi në të kundërt gjendja e aksidenteve do të vijojë të jetë e njëjtë. Sipas Hashos, shkaqet kryesore të aksidenteve janë shpejtësia tej normave dhe parakalimet e gabuara.
“Po ti shohësh shkaqet janë tejkalim shpejtësie, parakalim i gabuar. Duhet të filloj heqja e lejes së drejtimit për ata që shkaktojnë aksidente të rendë, nuk respektojnë semaforin. Duhet të jetë masë urgjente”, u shpreh Hasho.
Në prill, numri i aksidenteve ishte 123, me rritje mbi 78% në raport me prill 2023, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave.
Si 4-mujor, në total, numri i aksidenteve ishte 500 nga 332 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.