TIRANË- Rëndohet bilanci i aksidentit të ndodhur mesditën e së dielës te ‘Shkalla e Tujanit’, duke shkuar në 2 viktima. Report Tv mëson se ditën e sotme ka ndërruar jetë Defa Kaloshi 73-vjeçe, nëna e shoferit, Neki Kaloshi.
Ajo u dërgua ditën e djeshme me urgjencë në spitalin e Traumës, por nuk ia doli që t'i mbijetonte plagëve të marra. Vendi ku ndodhi aksidenti është kantier ndërtimi, për pasojë bëhet e ditur se është vendosur nën hetim kompania që po kryente punimet për të zbardhur nëse janë respektuar masat e sigurisë.
Ditën e djeshme ndërroi jetë në vend Hidër Daci 68-vjeç, fqinj i Hoxhës Neki Kaloshi, ndërsa babai i këtij të fundit ka marrë plagë të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Hoxha Neki Kaloshi është vënë në prangat e policisë. Siç shihet në foton e siguruar nga Report Tv, shoferi ka dalë humbur kontrollin duke dalë nga rruga, duke rezultuar fatale për jetën e 2 personave.
"Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. K., 42 vjeç, pasi ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Shkalla e Tujanit”, duke qarkulluar me mjet në një zonë që është kantier ndërtimi, ka humbur kontrollin e mjetit dhe si pasojë kanë humbur jetën dy pasagjerët, shtetasi H. D., 68 vjeç, (i cili ka humbur jetë në vendngjarje) dhe shtetasja D. K., 73 vjeçe ( e cila si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetë në spital)", njofton policia.
Makina e aksidentuar
Dy viktimat Defa Kaloshi dhe Hidër Daci dhe të plagosurit Neki Kaloshi (shoferi) dhe babai i tij
Report Tv ka siguruar fotot e 2 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur mesditën e djeshme te 'Shkalla e Tujanit'. Viktima është Defa Kaloshi 73-vjeçe, nëna e shoferit, Neki Kaloshi dhe Hidër Daci 68-vjeç.