Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi sot (31 Janar) 2 punonjës policie në Sarandë dhe Has për "drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt" dhe “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Të arrestuarit janë Ardian Kasemi, në Sarandë dhe Hysni Dida në Krumë.
AMP e Rajonit Vlorë-Gjirokastër arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor A. K., me detyrë në Forcën e Posaçme Shqiponja, në Komisariatin e Policisë Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale "drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt".
“Arrestimi i tij u krye pasi gjatë drejtimit të mjetit tip “Mercedes Benz” në qytetin e Sarandës, është përplasur me mjetin tip “Wolksvagen”, duke shkaktuar dëme materiale. Nga verifikimi me testin matës të alkoolit rezultoi pozitiv”, thuhet në njoftim.
Kurse AMP Kukës-Dibër ka bërë ndalimin me iniciativë të punonjësit të policisë Inspektor H. D., 53 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Has, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “shkelja e rregullave të Qarkullimit Rrugor”.
“Ndalimi me iniciativë i punonjësit të policisë u krye pasi duke drejtuar automjetin e tij Volksëagen në rrugën ”Demokracia” në qytetin Krumë, ai ka përplasur dy këmbësoret shtetaset M. G, 43 vjeçe dhe Z. G., 78 vjeçe, të cilat janë duke marrë ndihmë mjekësore”, sqaron AMP.
Materialet proceduriale për të dy rastet i janë referuar në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.
“AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected]”, apelohet nga institucioni ligjzbatues.