Aksidenti i mbrëmshëm në Shkodër

Kronikë

Aksidenti i rëndë në Shkodër, vdes në spital edhe futbollisti 13-vjeçar! Shoku humbi kontrollin e motorit dhe u përplas me murin! Reagimi prekës i klubit Vllaznia (EMRI+FOTO)

15 Prill, 11:05| Përditesimi: 15 Prill, 15:32

  • Share

Shkodër- Ndërron jetë edhe i mituri tjetër, futbollisti 13-vjeçar i Akademisë 'Djelmnia shkodrane', i aksidentuar mbrëmjen e kaluar në fshatin Stom-Golem, të Shkodrës.

Së bashku me shokun e tij 16-vjeçar, që humbi jetën i pari pas ngjarjes, ata po udhëtonin me motor dhe pasi humbën kontrollin e mjetit, janë përplasur me një mur. I mituri Fabian Shpati nuk i mbijetoi dot plagëve dhe ndërroi jetë sot në spital.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:20 të ditës së djeshme (14 prill), në vendin e quajtur "Stom Golem", kur motomjeti doli nga rruga.

Policia njoftoi mbrëmë se 16-vjeçari ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, kurse shoku i tij u dërgua me urgjencë në spitalin e Shkodrës për mjekim, por për fat të keq ka humbur edhe ai jetën, me gjithë përpjekjet e bluzave të bardha për ta shpëtuar.

Policia vendore po vijon hetimet për të zbardhur dinamikën e aksidentit fatal dhe shkaqet. 

Për vdekjen e të miturit ka reaguar edhe klubi i futbollit Vllaznia, pasi Fabian Shpati ishte pjesë e Akademisë së Futbollit ‘Djelmnia shkodrane’.

“Ndarja nga jeta në mënyrë tragjike pas aksidentit të djeshëm e Fabian Shpatit ka qenë një ngjarje e rëndë për të gjithë, përfshirë këtu edhe komunitetin e futbollit, pasi Fabiani 13 vjeçar ishte një lojtar me perspektivë që po rritej tek Akademia e Futbollit “Djelmnia shkodrane”.

KF Vllaznia dhe Akademia Vllaznia i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Shpati, e po ashtu edhe Akademisë së Futbolllit “Djelmnia shkodrane”, për këtë humbje të madhe. Prehu në paqe Fabian!”, shkruhet në llogarinë e klubit në rrjetin social Facebook.

Postimi i FK Vllaznia në rrjetin social Facebook, për vdekjen e futbollistit të ri

 

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?