Kronikë

Aksidenti i rëndë në Borizanë të Fushë-Krujës, një i vdekur dhe 3 të plagosur nga përplasja e makinave! Të lënduarit dërgohen te Trauma (EMRAT+VIDEO)

2 Korrik, 11:39| Përditesimi: 2 Korrik, 12:15

  • Share

FUSHË-KRUJË- Një aksident i rëndë me bilanc 1 të vdekur dhe 3 të plagosur ka ndodhur mesditën e sotme në Fushë-Krujë. Dy automjete tip “Mercedes” janë përplasur e për pasojë është regjistruar bilanci tragjik. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Borizanës, në rrugën e vjetër Thumanë-Fushë-Krujë.

Viktima është pasagjere në një prej mjeteve ku mbetën të plagosur shoferi dhe një grua tjetër, të tre familjarë mes tyre. Në makinën tjetër ishte në timon një grua.

Nga hetimet paraprake të kryera nga Policia Rrugore në vendngjarje, rezulton se Malvina Kani është drejtuesja e njërit prej mjeteve, e cila është përplasur në dinamikë ende të paqartë me mjetin tjetër që drejtohej nga Idriz Saja, me të cilin udhëtonin dhe Lindita Saja dhe Bedrie Saja.

Për pasojë ka humbur jetën në vend Bedrie Saja, ndërsa të tjerët janë nisur për në Spitalin e Traumës, pasi janë në gjendje të rëndë. Mësohet se viktima Bedrije Saja është nëna e Idrizit, drejtuesit të mjetit. Të katër personat e përfshirë në aksident janë banorë të zonës së Fushë-Krujës.

"Rreth orës 11:00, në aksin rrugor “Fushë Krujë - Borizanë”, automjeti me drejtuese shtetasen M. K., rreth 30 vjeçe, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin I. S., rreth 50 vjeç.  Si pasojë ka humbur jetën pasagjerja në automjetin me drejtues shtetasin I. S., nëna e tij, shtetasja B. S., rreth 85 vjeçe, si dhe janë dëmtuar 2 drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerja tjetër në automjetin me drejtues shtetasin I. S., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve", njoftoi Policia.

Policia vendore ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e shkaqeve, nëse ka qenë shpejtësia, parakalimi i gabuar dhe pakujdesia e një prej shoferëve që solli bilancin tragjik.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    I nxehti ekstrem, duhet të marrë masa Shqipëria për të mbrojtur qytetarët?