Forca ushtarake amerikane në Siri

Aksidenti me helikopter lë 22 ushtarë amerikanë të plagosur në Siri

13 Qershor 2023, 09:09| Përditesimi: 13 Qershor 2023, 09:16

  • Share

Një aksident me helikopter ka ndodhur gjatë fundjavës në verilindje të Sirisë, ku si pasojë mbetën të plagosur 22 anëtarë të shërbimit amerikan. Ushtria amerikane tha se shkaqet e aksidentit po hetohen ende, ndërsa aludimet për një sulm armiqësor janë hedhur poshtë.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se aksidenti ka lënë 22 pjesëtarë të shërbimit amerikan të plagosur në shkallë të ndryshme, të cilët po marrin trajtim mjekësor dhe 10 prej tyre janë transferuar në qendrat shëndetësor jashtë rajonit që ofrojnë kujdes më të avancuar.

Forcat amerikane që ndodhen në Siri, janë ekipe të vogla ushtarësh që përfshihen në operacione të ndryshme dhe e tejkalojnë shifrën prej 900 personash.

Forcat amerikane kanë qenë në Siri që nga viti 2015 për të këshilluar dhe ndihmuar Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik.

Që kur grupi ekstremist u mund në Siri në mars 2019, trupat amerikane janë përpjekur të parandalojnë çdo rikthim nga IS, i cili përfshiu Irakun dhe Sirinë në vitin 2014, duke marrë kontrollin e zonave të mëdha të territorit.

Megjithatë, qelizat e fjetura të IS mbeten një kërcënim. Ka gjithashtu rreth 10,000 luftëtarë të IS-it të mbajtur në objektet e paraburgimit në Siri dhe dhjetëra mijëra anëtarë të familjeve të tyre që jetojnë në dy kampe refugjatësh në verilindje të vendit.

Gjatë viteve të fundit, trupat amerikane i janë nënshtruar sulmeve të kryera nga anëtarët e IS dhe luftëtarët e mbështetur nga Irani atje.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?