TIRANË- Aksidenti i regjistruar një ditë më parë në zonën e Astirit, ku një këmbësor u përplas për vendje pais i preu rrugën makinës, ka sjellë një përplasje në distancë mes ish-këshilltarit të Ilir Metës, Emiljano Aleksit me drejtorin e DPSHTRR, Blendi Gonxhen. Ka qenë Aleksi ai që ka reaguar i pari lidhur me aksidentin duke hedhur akuza se në atë zonë, tek mbikalimi ka 10 ditë që nuk funksionojnë semaforët. Kjo gjë sipas tij, mund të bëhet burim për aksidente të tjera.
“Rrugët po gjakosen dhe kjo është një dramë që ndodh në rrugët e Shqipërisë. Ne mund të fajësojmë këdo, viktimën apo shkaktarin po shteti duhet të vendosi gishtin kokës. Jo me larg nga sot unë vete do doja te denoncoja pikërisht këtë aks rrugore. Tek mbikalimi pranë këtij aksidenti ka 10 dite që nuk funksionojnë semaforët. Fatkeqësi kjo që ka ndodhur sot, por gjithmonë ekziston mundësia që një aksident tjetër te përsëritet tek ky kryqëzim, nga mungesa e semaforëve.
Kur funksiononim aty kishte dhe punonjës se Policia e Shtetit , tani aty nuk ka as punonjës dhe as semafor por kalon kush e ka makinën më të shtrenjtë. Duhet të shmangen aksidentet aty ku mundemi dhe jo t’ia lëmë rastësisë. Në të gjitha rastet aksidentet rrugore ndodhin për faj të përdoruesit të rrugës, drejtuesi i mjetit ose këmbësori. Pjesa tjetër është për rrugët”, shkruan Emiljano Aleksi.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Blendi Gonxhes, i cili thotë se në këtë rast shteti nuk ka asnjë përgjegjësi, pasi këmbësori është futur në autostradë dhe kjo është rreptësisht e ndaluar. Ai u bën thirrje këmbësorëve që të zbatojnë rregullat.
“Emiljano Aleksi dmth e shikon videon dhe nuk thua dot troç që ky është 100% faj i këmbësorit?! A duhet ndonjë prove tjetër? Shteti ti vere gishtin kokës? Tela me gjemba ti vëmë unazës? Apo edhe trotuareve? Çfarë kryqëzimi flet ti? Aty s’ka kryqëzim por është e ndaluar absolutisht te kalosh ashtu rrugën! Pse nuk i jepni emrin gjerave, shteti, shteti, shteti! Jo jo, ka ca gjera qe lidhen me kulturën, veten, njeriun, se ai nuk qe fëmijë por i rritur e përgjegjës për veprimet e veta! Shoferi aty ishte viktimë. Video flet vetë. Ngushëllime familjes e gishtin kokës çdo këmbësor që DUHET TE ZBATOJE RREGULLAT”, shkruan Blendi Gonxhja.