Aksidenti në punë që ndodhi të mërkurën në galerinë e kromit “Gerti shpk” në Bulqizë, ku një minator humbi jetën, është rast i përsëritur.
Gjatë viteve, në galerinë e të njëjtit subjekt ka patur dhe aksidente të tjera, por me plagosje.
Eda Brahimaj, përgjegjëse e sektorit për sigurinë në punë në Inspektorian e Punës, në një intervistë për emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ka treguar se ky subjekt ka qenë në fokus të kontrolleve edhe më parë, për shkak të aksidenteve.
“Subjekti “Gerti shpk” në të cilën ka ndodhi aksidenti i djeshëm, është aksidenti i parë me pasojë fatale, ky subjekt është inspektuar nga Inspektoriati i Lartë i Punës, në 2023 dhe 2024, ku dhe këto janë për aksident në punë. Kanë qenë aksidente me plagosje, njëri me thyerje të këmbës dhe tjetri thyerje të legenit, të ndodhura të dyja në galeri. Inspektoriati ka dalë në vendimet e veta dhe lënien e afateve për marrjen e masave konkrete”, u shpreh Eda Brahimaj.
Kjo e fundit theksoi gjithashtu se Inspektoriati i Punës nuk ka të drejtë të hyjë për inspektim në thellësitë e minierave. Sipas saj, kjo detyrë i përket Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, që është në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Më pas të dyja institucionet koordinojnë punën.
“Autoriteti kompent për inspektim në galeri është Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, që është në varësi të Ministrisë së Infrastruktrës dhe Energjetikës. Ne si Inspektoriat nuk futemi në galeri, e kemi të përjashtuar me ligj. Ama në kuotën zero e sipër kemi të drejtë të kontrollojmë. Por sigurisht që me AKSEM-in bashkërendojmë punën”.
Një ditë më parë, në minierën e Bulqizës të subjektit “Gerti shpk” me aksioner të vetëm Jeton Danin, humbi jetën minatori Fari Veliu për shkak të rënies së një masivi kromi. Për këtë aksident në punë, u arrestuan 5 punonjës të stafit teknik të kompanisë minerare.
Brahimaj sqaron se problemi më i madh me sigurinë në miniera ka të bëjë me masat mbrojtëse që duhet të merren për punën në thellësi të galerive.
“Gjëja e parë që një inspektor pune bën në miniera është kontrolli i dokumentit të riskut, që ka të përshkruar çdo proces pune dhe masat që merren për sigurinë dhe shëndetin në punë të punonjës, masa kolektive apo individuale. Në rastin e minierave duhet të jenë masa kolektive që galeritë të jenë të sigurta për punonjës, lihet detyrë nga inspektorët por kontrollohet zbatimi nga AKSEM”, tha ajo.
Problematik me sigurinë është edhe sektori i ndërtimit, i cili ka numrin më të madh të aksidenteve dhe fataliteteve në vendin e punës.
“Problematikat më të mëdha në ndërtim kanë të bëjnë me rolin e koordinatorit, përdorimi i mbrojtjes individuale, dokumentit të vlerësimit të riskut dhe personit përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë”, tha Brahimaj.
Komente

Ligjet njihen e/o nuk njihen e nuk zbatohen, ----- procedurat njihen e/o nuk njihen e nuk zbatohen, ----- eshte e dukshme qe Legjislacioni eshte i fragmentuar e i manget dhe ka lene e le hapesire qe 'topi' te hidhet kudo, por jo te shkaqet elementare qe ne origjine te proceseve e procedurave te detyrueshme te punes dhe te fajtoret e vetedijshem e te pavetedijshem qe ne origjine te proceseve e procedurave te punes e te business-it. Thelbi mbetet qe Shteti, Qeveria me Agjensite e saj Teknike Ligjzbatuese, te cilat kane detyrirmin te kontrollojne, etj, etj, nuk funksionon, sepse me dashje e djallezi Agjensite Ligjzbatuese ose gjenden totalisht te mpira e pa inciative Ligjzbatuese nga forca/bullizmi/dhuna verbale e/o fizike e zinxhirit te Pushteteve/Pushtetareve/Businessmaneve, ose jane 'delfine' te tyre, ne me te shumten e rasteve me njerez te zgjedhur e vendosur enkas aty si teknikisht e profesionalisht te paafte = freeway per te grabitur e masakruar punetoret dhe jeten e tyre, familjet e tyre, ekonomine e tyre e keshtu me radhe, ekonomine dhe pasurite e te gjithe Shqiperise.
Përgjigju