LEZHE- Dy persona janë arrestuar nga policia në lidhje me aksidentin ne pune të ndodhur mesditen e 11 majit 2024 në një objekt në ndërtim në zonën e Kunes në Shëngjin, ku humbi jeten Preng Gjoni 50-vjeç. Sipas bluve në lidhje me këtë ngjarje janë venë në pranga Martin Kovaçi 47 vjeç, banues në Lezhë, administrator i firmës për ndërtimin e pallatit, dhe Eduard Frroku 47 vjeç, banues në Kamëz Tiranë, punonjës i firmës.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë shpallën në kërkim për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin Edmond Markun 34- vjeç, banues në Lezhë, drejtues teknik i firmës së ndërtimit.
Arrestimi i 2 shtetasve dhe shpallja në kërkim e 34-vjeçarit u bënë pasi ditën e djeshme, në Kune, Shëngjin, në një pallat në ndërtim, me administrator shtetasin Martin Kovaçi shtetasi Preng Gjoni 50 vjeç, duke punuar, humbi jetën pasi i ra një dërrasë druri mbi kokë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.Ky ishte aksidenti i dytë në pune i ndodhur në harkun kohor te dy diteve në Shëngjin, pasi mengjesin e së enjtes një punëtor 28-vjeçar humbi jeten, pasi ra nga kati i 9 i pallatit ku po punonte.