GREQI- Autoritet greke kanë marrë nën hetim shoferin bullgar të kamionit që u përplas me mjetin ku humbën jetën në mënyrë tragjike 3 shqiptarët. Ai ndodhet ende në spital, ku po merr ndihmë mjekësore, ndërsa iu komunikuan akuzat “vrasje nga pakujdesia”, “dëmtim i rrezikshëm nga pakujdesia” dhe “drejtim i rrezikshëm mjeti”. Shoferi 59-vjeçar i është nënshtruar një operacioni dhe sapo gjendja shëndetësore të përmirësohet, do të paraqitet para gjyqtarit hetues për të dëshmuar mbi rrethanat e aksidentit tragjik.
Tragjedia me tre viktima, që ndodhi mesditën e së hënës, 18 gusht, në autostradën Egnatia, mund të ishte shmangur po të mos ishte përfshirë në flakë automjeti ku ndodheshin tre shqiptarët. Mediat greke kanë zbardhur edhe rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.
Mjeku ligjor, Nikolaos Kifnidis, i cili kreu autopsinë, deklaroi për Newsbomb.gr se të tre trupat kishin dëmtime të rënda në kokë, kraharor dhe bark, fraktura të shumta në brinjë, si edhe çarje të organeve të brendshme.
Siç shpjegoi mjeku ligjor Kifnidis, automjeti u përplas dhe më pas u përfshi nga flakët, çka solli djegien e trupave të tre personave që ndodheshin brenda. Vdekja e tyre u shkaktua nga zjarri, megjithatë edhe dëmtimet e pësuara gjatë aksidentit rrugor ishin shumë të rënda. Drejtuesi i mjetit kishte një frakturë në bazën e kafkës.
Mjeku ligjor theksoi se shqiptarët humbën vetëdijen pas plagëve të marra dhe të tre ishin pa ndjenja në momentin kur shpërthyen flakët. Kjo do të thotë se ata nuk humbën jetën nga goditjet, por nga pasojat e flakëve.
Nga zjarri fatal humbën jetën 3 shqiptarët Viktor Bushi, Klarenc Kacaj dhe Marianka Bushi (Aliraj) ndërsa u plagos Magdalena Kacaj, e cila po merr ndihmë mjekesore në spital.
Komente
