19 ditë pas aksidentit tragjik me 3 viktima dhe 2 të plagosur, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka nisur ndërhyrjen në kthesën e Murrashit, në rrugën Elbasan–Librazhd. Me një njoftim në Facebook, ARRSH ka njoftuar se do të bëhet përforcimi i pjerrësisë për të mbrojtur rrugën nga rënia e shkëmbinjve të përmasave të ndryshëm.
Mbrojtja e skarpatave do të bëhet nëpërmjet barrierave, të cilat do të vendosen në shpat dhe do të përdoren për të mbajtur shkëmbinj të mëdhenj. Barrierat e propozuara të rënies së shkëmbinjve kanë një lartësi prej 4 m dhe mund të thithin një energji goditjeje deri në 1000 kJ. Kjo lloj mbrojtjeje e shpatit do të përdoret në zonat më të rrezikuara të këtij aksi rrugor.
Punimet do të kryhen në 2 zona dhe menaxhimi i trafikut do të bëhet për dy segmente: zona I ‐ Segmenti nga km 25+300 deri në km 26+400 dhe zona II ‐ Segmenti nga km 26+350 deri në km.27+050.
Kthesa e Murrashit është një rrugë shumë problematike, ku kanë ndodhur jo pak aksidenti, më i rëndi më 1 shkurt. Viktima të aksidentit mbetën Elmi Keqa 53 vjeç, Elona Keqa, 35 vjeç dhe Elis Sulmataj 18 vjeç, ndërsa Elisiado Keqa, 10 vjeç dhe Ambra Mhilli, 20 vjeçe mbetën të plagosur. Automjeti me të cilin ata po udhëtonin u përplas me një automjet tjetër, ku shkaqet e aksidentit ishin rrëshqitja e gurëve nga mali dhe parakalimi i gabuar. Nga përplasja dhe lagështia në rrugë makina ku udhëtonte familja nga Kukësi përfundoi në lumë.