TIRANË- Gjykata e Tiranës la në burg dy nga tre të arrestuarit për aksidentin tragjik që ndodhi mesnatën e 19 marsit në Fushë-Prezë ku humben jetën katër të rinjtë Enejd Laçi dhe tre pasagjerët në automjetin që ai drejtonte, vëllai i tij Erild Laçi, 20 vjeç që sapo morën në Rinas, shoku Enrikejd Kurti, 24 vjeç, dhe kushëriri Andi Laçi, 22 vjeç.
Me kërkesë të prokurorisë gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për shoferin e betonieres, Aleksandër Krrashi dhe kushëririn e tij që e ndihmoi të fshihej Vakentin Krrashi, ndërsa me “detyrim paraqitje” u la Danjel Koxha menaxheri i firmës 'Hel-Jon' ku shoferi ishte punësuar në të zezë.
Në dëshminë para gjykatës shoferi 24-vjeçar i cili nuk kishte patentë për të drejtuar betoniere tregoi se kishte ndalur mjetin në rrugë pasi i mbaroi karburanti, kur u përplas nga pas nga makina me shpejtësi gati 170 km/h e të rinjve dhe kishte harruar të ndizte bllokazhin. Ai deklaroi se doli nga betonierja dhe tentoi të hapë derën e makinës së të rinjve por nuk mundi dot pasi mori menjëherë flake. “U përpoqa maksimalisht t’i ndihmoj po dera e makinës nuk hapej. Lajmërova edhe një koleg, shofer të një betonierje tjetër, që të vinte për të më ndihmuar me shuarjen e zjarrit”, tha ai para gjykatës. 24-vjeçari u shpreh se në kushtet kur ishte e pamundur shpëtimi i të rinjve u largua nga frika e një hakmarrjeje.
Edhe kushëriri i tij, Valentin Krrashi mohoi të ketë larguar Aleksandrin nga vendi i ngjarjes me qëllim që të fshihej. Ai tha se shkoi për ta ndihmuar pasi edhe ai ishte dëmtuar në fytrë nga përplasja, e dërgoi në banesë për të ndërruar rrobat të cilat ishin djegur, dhe se më pas e dorëzoi në polici. Ndaj 24-vjeçarit prokuroria ngriti akuzën për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Si ndodhi aksidenti?
Makina “Mercedes Benz” që drejtohej nga Enejdi Laçi, 25 vjeç, brenda së cilës ishin vëllai që sapo kishte marrë në Rinas, kushëriri dhe miku i tij, para se të përplasej me betonierën që kishte ndaluar në mes të rrugës pa ndezur bllokazhin, fillimisht parakaloi 2 kamionë pasi kishte hyrë në rrugën që të çon drejt Fushë-Krujës.
Nga verifikimi paraprak i bërë prej grupit hetimor, në parakalim, shpejtësia dyshohet të ketë qenë të paktën mbi 170 km/h. Megjithatë, sapo Enejdi kaloi në korsinë e tij të lëvizjes, përplasja me betonierën ishte e pashmangshme për shkak të distancës së shkurtër, mungesës së fushëpamjes nga 2 parakalimet e para dhe shpejtësisë së lartë me të cilën po lëvizte.
Mungesa e gjurmëve të frenimit tregon për grupin hetimor se drejtuesi i saj nuk e ka parë fare betonierën, përplasja me të cilën shkaktoi tragjedi duke e shpërthyer në flakë makinën e duke i lënë të katërt të rinjtë të pajetë.
24-vjeçari që drejtonte pa patentë betonierën, tashmë i arrestuar për 3 akuza nga policia, ka rrëfyer për hetuesit pse ndaloi në mes të rrugës pa ndezur sinjalet e bllokazhit. Sipas tij, sapo doli nga vendi i kompanisë së prodhimit të betonit ku punonte i padeklaruar, dhe kishte hyrë në rrugë, makina iu fik pasi sipas tij i mbaroi nafta. Ka provuar disa herë ta ndezë, por ka qenë e pamundur. Në afërsi ndodhet një pikë karburanti, tek e cila u tha hetuesve se shkoi për të marrë naftë, por gjatë kësaj kohe sipas tij, harroi të ndezë bllokazhin e makinës. Pas përplasjes ai u largua me ndihmën e kushëririt të tij, Valentin Krrashi, të dy të kapur pak orë më vonë.
Komente

Duhet te ndertohen shirit vizjezimi me fosfor keshtu naten shikohet karrexhiata
PërgjigjuShqipet duhet te eleminojn udhtimet naten deri sa rruget Shqiptare te ndriçohen si ne EVROP.
Përgjigju170 km/h nqs ezhte e vertete nuk eshte pak per te levizur naten or teeeejjjjj
Përgjigju