Udhëtimin e tyre të fundit bën 45 persona nga 52 që ishin në autobusin që u përfshi nga flakët në aksidentin tragjik që u shënuar në Bullgari 2 ditë më parë.
Ndërsa në media ka qarkulluar se shkaku kryesor i aksidentit tragjik ishte transportimi i karburantit shtesë me autobus, hetuesit e kanë rrëzuar këtë pretendim, duke thënë se është plotësisht i pabazë.
Zëdhënësja e kryeprokurokurorisë bullgare, Siika Mileva, ka folur rreth një misteri, se vetë 44 trupa arritën të identifikoheshin dhe se 1 është zhdukur.
“Kështu është matematika e thjeshtë që kemi të dhëna se në autobus ishin 52 pasagjerë. Ne gjetëm 44 kufoma, 7 persona, 4 burra dhe 3 gra u shtruan në spital. Enigma e madhe mbetet, ku është personi i tetë? Ne punojmë sipas atij versioni, nuk duam të ngatërrojmë publikun. Mund të jetë edhe një deklaratë e papërshtatshme nga një dëshmitar okular”, tha Mileva.
Ajo tregoi gjithashtu se një nga të mbijetuarit deklaroi kategorikisht se 8 persona arritën të shpëtonin.
Kryehetuesi Sarafov e interpreton këtë dukuri si mundësi që njëri nga pasagjerët e autobusit të ketë kaluar në njërin nga tre autobusët e tjerë që ishin me atë të djegur.
“Për momentin është një enigmë për ne, por do të jetë objekt hetimi”, tha Sarafov.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 02:00 në autostradën Struma, 40 kilometra në jug të Sofjes, ku mes viktimave ishin edhe 12 fëmijë. Për shkak të ngjarjes së rëndë, Kosova shpalli 24 nëntorin ditë zie, ndërsa Maqedonia e Veriut, ka shpallur tre ditë zie në nder të 45 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik.
Në sheshin 'Skënderbej' në Tiranë janë zhvilluar homazhe këtë mbrëmje në nder të 45 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik në Bullgari. Siç shihet në pamje, qytetarët kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur buqeta me lule në shesh. Mes qytetarëve që ndezin qirinj, shihet edhe këngëtarja Irma Libohova.
Mediat kanë hedhur dyshime se i mbijetuari i 8-të misterioz i aksidentit është 36-vjeçari me prejardhje arabe Shaip Nauf Al Salah.
Emrin e tij e kanë parë familjarë të të mbijetuarve në listën që e kanë marrë nga autoritetet bullgare. Këtë e pohon edhe djali i shoferit të dytë, i cili ka humbur jetën në vendngjarje.
Në listën zyrtare të të mbijetuarve të cilën e publikoi Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, nuk figuron emri i shtetasit arab, por emrat e vetëm 51 të aksidentuarve, nga 52 që thuhet se ishin në total.
Hetuesit bullgarë, do të hetojnë lidhur me prezencën e tij në autobus, nëse ai ka shpëtuar dhe më pas në mënyrë misterioze është zhdukur natën.
Në mediat bullgare ka qarkulluar se shkaku kryesor i aksidentit tragjik që i mori jetën 45 persona në Bullgari ishte transportimi i karburantit shtesë me autobus, por hetuesit e kanë rrëzuar këtë pretendim.
Ka qenë prokurori bullgar Borislav Sarafov, ai që sqaroi se në mënyrë kategorike spekulimet se në autobusin e djegur është transportuar benzinë ose naftë, nuk janë të vërteta.
“Po përhapen informacione se në autobus po transportoheshin derivate të karburantit, benzinës dhe dizelit dhe se këto kanë qenë arsyet e zjarrit. Ai version është hetuar, por kategorikisht e hedhim poshtë si të pabazë. Tre bidon u gjetën në vend, që përmbanin vetëm mbetje vaji. Nuk ishin të mbushur dhe as të djegur. Rrjedhimisht, zjarri nuk është shkaktuar nga ata”, tha Sarafov.
Trupi i shoferi të dytë të autobusit që u aksidentua në autostradën e Strumës, Kadri Mehmetit, 54-vjeç, u gjet në kabinën e fjetjes në autobus. Këtë e ka konfirmuar djali i tij Besarti, për televizionin bullgar BNT, i cili ka shtuar se trupi i babait të tij është identifikuar tashmë dhe se ai kishte mbi 20 vite përvojë pune. Ai udhëtonte shpesh në Gjermani dhe Turqi dhe i njihte rrugët. Autobusi ishte teknikisht i në rregullt, sipas djalit të tij.
Besari pretendon se Besa Trans ka një shërbim edhe në Turqi. Babai i tij u largua të enjten dhe në Turqi mbërriti të premten. Udhëtime të tilla ai bënte shpesh edhe në Gjermani dhe ai i njihte mirë rrugët. Sipas Besarit, në autobus nuk janë lejuar pasagjerë me bagazhe të rrezikshme - as me mjete piroteknike, as me karburant.
Lulzim Sulejmani nga Presheva i cili së bashku me të fejuarën e tij Medina Lutfi arritën t’i mbijetonin tragjedisë në Bullgari, ka treguar detaje rrëqethëse nga momenti i aksidentit.
Mes lotësh dhe fjalëve drithëruese i riu tha se nuk do të mund të harrojë kurrë nënat që bërtisnin duke u lutur të shpëtojnë fëmijët e tyre
“Tymi ishte aq i dendur sa që sapo u mbërrinte njerëzve u binte të fikët. E frikshme. Të gjithë këta njerëz i takuam në atë mini-ekskursion, u shoqëruam gjatë atyre katër ditëve në Stamboll. Dhe tani, për pjesën tjetër të jetës sime, nuk do të mund të harroj fotot e nënave që bërtisnin dhe luteshin që t’i shpëtonin fëmijët e tyre dhe kështu të gjithë u dogjën dhe zhduken në zjarr dhe tym”, rrëfen me lot 26-vjeçari i mbijetuar.
A tregoi për mediat vendase momentin kur autobusi u përplas në pjesën anësore të rrugës dhe si ariti të thyente xhamin për të shpëtuar.
” Të gjithë flinin, por mua s’më merrte gjumi. Shoferi ndaloi, mbushi rezervuarin dhe vazhdoi. Në një moment goma shpërtheu, autobusi u përplas befas në skaj dhe nga pjesa e përparme e autobusit filloi të dilte tym i zi dhe shpërtheu zjarri. Kam kapur shpejt çekiçin që është gjithmonë në autobus dhe theva xhamin e pasmë. Arritëm të dilnim disa”, thotë Lulzimi.
Shkaqet e aksidenti tragjik ku humbën jetën 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në Bullgari janë ende të pazbardhura, ndërkohë që po hetohet në disa pista.
Mediat bullgare '24 çasa' shkruan në faqen e saj të parë 'E marta e zezë, 45 viktima për naftë më të lirë', dukë lënë të kuptohet se shkaku kryesor i aksidentit është transportimi i karburantit shtesë me autobus. Hetuesit i thanë gazetës se janë gjetur disa mbetje nafte, por mbetet për t’u parë si ka shpërthyer.
Pas përplasjes në autobusit, karburanti ka shpërthyer dhe gjithçka u dogj e u bë hi brenda pak sekondave. Karburanti shtesë dyshohet se ishte ngarkuar në autobus për shkak të diferencës së çmimit të naftës, pasi në Turqi një litër naftë kushton 1.33 lev bullgare, kurse në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut rreth 2.40 leva. Transportuesi ndoshta po transportonte karburant shtesë për të ulur koston e udhëtimit.
Ka komente të ndryshme se çfarë saktësisht mund të ketë shkaktuar zjarrin, si dhe kur ka ndodhur, por nuk ka asnjë informacion zyrtar për të. Të mbijetuarit në aksident raportojnë se kishin dëgjuar një shpërthim të fortë dhe se më pas kishte filluar të përhapej tymi dhe zjarri në autobus. Mediat vendase sakaq hodhën edhe dyshime se në autobus kishte 1 mijë litra naftë dhe 30 mijë fishekzjarrë që do të hidheshin në tregun vendas për festat e fundvitit. Zjarri që përfshiu autobuzin ishte aq i fortë sa shumica e viktimave u dogjën aq sa trupat e tyre nuk mund të identifikoheshin.