Aksidenti tragjik në Elbasan/ Babai rrëfen ekskluzivisht si mësoi lajmin: Më ra telefoni nga dora, sikur ndjeja diçka! Fjala e parë që më tha vajza kur u zgjua

14 Shtator 2020, 13:39| Përditesimi: 14 Shtator 2020, 15:19

  • Share

TIRANË- Ora 05:00 do të mbahet mend gjithë jetën nga Edmond Dibra, është momenti kur vajza e tij, Denisa ka rilindur sërish, pas një aksidenti tragjik që pësoi në Elbasan, i cili i mori jetën 2 shoqeve të saj. "Ku janë shoqet" është fjalia e parë që Denisa ka thënë pasi e ka marrë veten, për të cilën nga mjekët është marrë si një mesazh pozitiv e tregues se gjendja e saj shëndetësore është e mirë, edhe pse momenti i përplasjes i është fshirë nga kujtesa. Report Tv me gazetarin Merin Maçi ka arritur që të sigurojë dëshminë ekskluzive të babait, Edmondit një emër jo pak i njohur për publikun shqiptar pasi është gazetar sportiv, por sot ai ka marrë vëmendjen për një ngjarje që shkon përtej fushës së blertë. Ai ka treguar me detaje se si e ka marrë vesh lajmin e trishtë, i cili thotë se si një prind kishte parandjerë që diçka nuk shkonte.

"Në radhë të parë, më falni për gjendjen emocionale, nuk do ia dëshiroja një familje këtë tragjedi. Falenderoj të madhin Zot, një aksident tepër i rëndë, vajza është jashtë rrezikut për jetën, ka plagë, por është jashtë rrezikut. Falenderoj stafin e spitalit që kanë bërë çmos që vajza momentalisht ndodhet jashtë rrezikut.  Është diçka vajza njihen nga Shkodra, e ndjera kishte ditëlindjen. Nervida Garunja është në një gjendje të vështirë për jetën, InshAllah bën mrekulli. Aksidenti ishte shumë i rëndë, Shkodra jeton me hallin dhe brengën time dhe familjet që kanë humbur pjesëtarë, aksidenti ishte fatal. Denisa ka ardhur në vete në orën 5 të mëngjesit që ka komunikuar, me mua, nuk e kujton aksidentit tragjik. Kur është përmendur ka kërkuar shoqet e saj, kjo është e mirë që vajza i kujtohet pak a shumë.

Si e mora vesh lajmin? Mbrëmjeve ulem me bashkëshorten për të pirë një kafe dhe po shihja orën, vajza nuk ka shans që të mos më marrë 3 herë në ditë. "U thashë a po knaqeni", "po hamë drekë, nga ora 6 do vijnë për Shkodër". Në orën 7 them si ka mundësi që s'na ka marrë vajza, sikur më shtynte diçka. I marr në celular, më del një person. Më thotë një qytetar që vajza është jashtë rrezikut për jetën. Më thotë më jep në telefon babain. Ishte momenti kur kishte marrë zjarrfikësit dhe kishin nxjerrë vajzën nga makina, Kam lëshuar telefonin në tokë", rrëfen ai, në një bisedë e cila u ndëpre në fillim për shkak të qarës që i erdhi deri në grykë, por që nuk i nxori lotët.

Në spitalin e Traumës, ai nuk është vetëm si prindi i Denisës, por edhe i Nervidës, të plagosurës tjetër, të cilën e quan si vajzën e tij. Prindërit e Nervidës nuk munden të jenë pranë saj në këto momente kritike për jetën, sepse kanë hapur dyert e mortit në Shkodër, në pritje të trupit të pajetë të vajzës tjetër të tyre, Lusindës. Nervida ka nevojë për gjak dhe nëpërmjet mikrofonit të Report Tv, Edmondi bën apel për ndihmë.

"Gjendja e Nervida është kritike dhe do bëja thirrje, vajza ka nevojë për grup gjak. Kush ka mundësi të bëjë dhuratë gjaku se bëhet ndihmë për shpëtimin e saj. Njerëzit e Nervida janë në Shkodër se familja ka hapur dyer e mortit, ato janë si vajzat e mia. Janë pjesë e familjes sime. Presin trupin e të ndjesës Lusinda që është në spitalin e Elbasanit dhe kanë në Shkodër në ceremoninë mortore", tha babai për gazetarin Merin Maçi.

Ky aksident e ka një fajtor. Ai është Behar Pema, 58 vjeç (i arrestuar) i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Për këtë babai kërkon nga shteti që të bëjë detyrën, asgjë më shumë. "Do të thoja që shteti të bëj detyrën e tyre, siç duhet", ka përfunduar.

Katër vajzat po shkonin drejt Korçës për të festuar ditëlindjen e Lusindës, por kjo festë u kthye në tragjedi. Lusinda Garunja, 19 vjeç dhe Xhaneta Qallia, 18 vjeç humbën jetën, ndërsa Denisa Dibra 26 vjeç dhe Nervida Garunja 19 vjeç ndodhen në spitalin e Traumës, njëra jashtë rrezikut për jetën, tjetra në luftë me vdekjen. Aksidenti tragjik ndodhur rreth orës 20:00, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në dalje të tunelit të Krrabës. Report Tv është rikthyer sot në vendin e ngjarjes, ku ka ende pjesë të makinave që u dëmtuan nga përplasja, sende personale që vajzat kishin në makinën " Volkswagen' me të cilët udhëtonin, xhama të thyer e njolla gjaku, si gjurmë të një ngjarje tragjike që vështirë të harrohet.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lui: 14/09/2020 16:18

    Uroj ta kalbin n burg ate qenie frymore. Se njeri nuk meriton te quhet, as kafshe nuk e ka lartesine te quhet ai plehre. Gjynah per keto dy te shkretat qe iu pre ne mes filli i jetes..

    Përgjigju
  • Azalea: 14/09/2020 16:17

    Pershendetje , cfare grup gjaku duhet te kete dhuruesi??

    Përgjigju
    • User: 15/09/2020 01:54

      Kam qelluar njehere me nje te njohur dhe degjova mjeket te thone: Ska problem grupi se e nderrojne ne depo, mjafton te keni mundesi te dhuroni gjak.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?