Kronikë
Sport

Përfshihet në aksident autobusi i ekipit të Skënderbeut, dy volejbolliste në urgjencën e Prrenjasit! Shtyhet ndeshja kundër Tiranës (VIDEO)

26 Prill, 12:00| Përditesimi: 26 Prill, 13:46

  • Share

Qafë Thanë, Prrenjas - Autobusi që transportonte skuadrën e Skënderbeut në volejboll për vajza është aksidentuar dhe ka përfunduar jashtë rruge në aksin për nga Qafa e Thanës në drejtim të Prrenjasit. Dy nga volejbollistet (Malaj dhe Mehmeti) kanë përfunduar në urgjencën e spitalit të Prrenjasit me dëmtime jo serioze. Lëndime ka pasur edhe për trajnerin Orlando Koja.

Vajzat korçare udhëtonin drejt kryeqytetit ku sot në orën 17:00 në sallën sportive të Farkës ishte planifikuar sfida e dytë mes Tiranës dhe Skënderbeut. Duket se dueli në parket vjen në plan të dytë dhe ai do shtyhet për një tjetër datë, pasi disa nga volejbollistet kanë pësuar lëndime dhe janë frikësuar, duke mos qenë në gjendje për aktivitetin sportiv. Dy nga volejbollistet që u dërguan në spital kanë lëndime në gju, në shpatull dhe në hundë.

Në pamje duket qartë se në aksident janë përfshirë tre mjete dhe autobusi i skuadrës së Skënderbeut është dëmtuar dhe ka përfunduar jashtë karrexhatës. Për fat nuk ka asnjë lëndim serioz për volejbollistet dhe stafin.

Federata Shqiptare e Volejbollit ka konfirmuar shtyrjen e ndeshjes për një datë që ende nuk është caktuar.

Njoftimi i Federatës:

Sot, rreth orës 11:00, në aksin rrugor Qafë Thanë – Librazhd, automjeti që transportonte ekipin e volejbollit për femra të Skënderbeut të Korçës, i nisur drejt Tiranës për të zhvilluar ndeshjen e dytë finale të Superligës në Pallatin e Sportit në Farkë (ora 17:00), u përfshi në një aksident rrugor me një automjet tjetër.

Për pasojë, të gjithë të pranishmit në automjetin e ekipit të Skënderbeut kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa dy nga lojtaret janë dërguar në spitalin e qytetit të Prrenjasit për një ndihmë më të specializuar. Gjendja e tyre është e stabilizuar.

Nisur nga rrethanat e ngjarjes, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Volejbollit, bazuar në Rregulloren e Brendshme,

Vendosi:

1. Ndeshja e dytë finale në Kampionatin e Superligës së Femrave midis Tiranës dhe Skënderbeut, e programuar të zhvillohej më 26.04.2025, ora 17:00, në Pallatin e Sportit Farkë, nuk do të zhvillohet.

2. Federata Shqiptare e Volejbollit do të njoftojë së shpejti për datën dhe orarin e ri të zhvillimit të ndeshjes së dytë finale, sapo të ketë një vlerësim të plotë të gjendjes shëndetësore të ekipit të Skënderbeut.

Federata Shqiptare e Volejbollit u uron të gjithë sportisteve një shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në parket.

 

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?