DURRËS - Tre shqiptarë u arrestuan në Durrës në një aksion policor pasi ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për trafik të lëndëve narkotike në Itali, ndërsa më tej do të ekstradohen në shtetin fqinj.
Florenc Mema, 30 vjeç, banues në Xhafzotaj, Demokrat Çizmja, 27 vjeç, banues në Gjepalaj dhe Luan Bodlli 41 vjeç, banues në Xhafzotaj Durrës, u vunë në pranga, ndërsa një person i katërt u shpall në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk u gjet në banesë gjatë kontrollit të ushtruar nga FNSH-ja në Durrës. Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në Durrës dhe në Itali. Në shtetin fqinj janë arrestuar 12 shqiptarë, italianë e marokenë, si dhe janë ekzekutuar edhe tri masa sigurie, dy prej të cilave "Detyrim paraqitjeje" dhe një "Arrest në shtëpi". Hetimi për këtë grup kriminal ka nisur në vitin 2017, pasi dyshohet se ky grup kryente trafikim të lëndëve narkotike nga vende të ndryshme drejt Italisë.
Por si funksiononte grupi?
100 kile kokainë në vit dhe mijëra euro kesh të sjella në Shijak ishte aktiviteti i grupit kriminal goditur nën operacionin italo-shqiptar të koduar "Romano". ReportTv ka siguruar pamjet e operacionit ndërsa rezulton se kokaina e pastër ishte me mbishkrimin e linjës së parfumeve Hugo BOSS dhe shpërndahej në Holandë, Francë, Gjermani dhe Italinë e veriut.
Kokaina vinte nga Amerika Latine dhe pasi depozitohej në bazën e grupit të shqiptarëve në periferinë e Bergamos dhe disa qyteteve në Italinë e Veriut ajo kalonte edhe në veriun e Evropës.
Paratë e grupit të fituara nga aktiviteti i narkotrafikut silleshin në Shqipëri në mënyrë ilegale me çanta dhe duke i fshehur në automjete.
Marrja e shumë apartamenteve në zonën e Bergamos me qira nga anëtarët e grupit të cilët i përdornin si bazë ka ndihmuar hetuesit të arrijnë në gjurmët e trafikantëve.
Ndërsa si pjesë e hetimit ka qenë dhe montimi i pajisjeve përgjuese në automjetet e tyre pasi për të qarkulluar kokainën në katër shtetet e veriut të Evropës ata përdornin autoveturat.
Ndër logot e kokainës ishte dhe Hugo boss linja e parfumeve të shtrenjta, kokainë e cila përdorej për klientët VIP dhe shitej me çmim të lartë.
Tre shqiptarët e arrestuar në Shijak kishin një rol aktiv e drejtues si pjesë e grupit kriminal dhe menaxhonin në Shqipëri fitimet e grupit kriminal.
Ata pritet të dalin të enjten para gjykatës aty ku do të vendoset edhe për ekstradimin e tyre pasi janë në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria e Bergamos në Itali.