Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë vijuar operacionin në kuadër të sezonit turistik për siguronë e pushuesve nga veriu në jug të vendit, duke bllokuar përgjatë javës që po mbyllet 35 mjete lundruese.
Mes mjeteve të bllokuara është edhe një makinë me ngjyrë të kuqe, e kthyer në Jet Ski, i dyti ky pas atij të bllokuar më shumë se një javë më parë.
Gjithashtu u gjet një gomone në Ksamil e braktisur, që rezultoi e vjedhur në Lefkadha të Greqisë dhe autorët mbeten të paidentifikuar. Pjesa më e madhe e mjeteve kishin shkelur perimetrin e sigurisë dhe rrezikonin pushuesit. Gjatë operacioneve u shpëtuan edhe 19 pushues të huaj dhe shqiptarë.
“Si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera nga Komani në Ksamil, gjatë javës janë kontrolluar 525 mjete lundruese, nga të cilat 35 janë bllokuar për shkelje të ndryshme. Konkretisht 22 jet ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar”, njoftoi Policia e Shtetit ditën e sotme (17 gusht).
14 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili.
Gjithashtu, janë shpëtuar në det 19 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), dhe 6 mjete lundruese falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare nga Ksamili në Koman.
Por gjatë kontrolleve u gjet edhe një gomone e vjedhur në Lefkadha të Greqisë, teksa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
“Nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me homologët grekë, është lokalizuar dhe bllokuar jashtë zonës së perimetrit të sigurisë në plazhin e Pemës së Thatë Ksamil-Sarandë, një gomone e vjedhur në zonën e quajtur Lefkadha, Greqi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, sqaroi policia.
Policia Kufitare apeloi për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese: Mos shkelni perimetrin e sigurisë; lundroni vetëm në zonat e lejuara dhe pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit.
“Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi”, përfundon ky apel.
Komente
