Sociale

Aksion për lirimin e hapësirave publike në Shëngjin, largohen shezlongët e vendosura nga beach baret (VIDEO)

4 Qershor, 16:12| Përditesimi: 4 Qershor, 16:23

  • Share

Nisja e sezonit turistik ka vënë në lëvizje strukturat ligjzbatuese në Lezhë, për të garantuar rregull dhe siguri për pushuesit.

Strukturat e Bashkisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave të zaptuara në mënyrë të paligjshme përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit. Ndërhyrja vjen në kuadër të zbatimit të vendimeve të reja qeveritare që ndalojnë vendosjen e shezlongëve pa leje të rregullt në zonat publike të plazhit.

Gjatë kontrolleve, janë vendosur gjoba ndaj disa subjekteve, kryesisht beach bare, të cilat kishin zënë hapësira publike duke vendosur shezlongë dhe pajisje të tjera në kundërshtim me rregullat e reja, pasi sipas VKM-së së fundit, vetëm struktura të miratuara hotelerie kanë të drejtën të shfrytëzojnë hapësira të caktuara për stacione plazhi.

Nënkryetari i Bashkisë Lezhë Fajton Zefi thotë se monitorini do të vijojë përgjatë gjithë sezonit turistik për të siguruar zbatim të plotë të ligjit dhe mbrojtje të hapësirave publike të cila do të menaxhohen nga pushteti vendor.

Sipas të dhënave zyrtare, në gjithë bregdetin e Lezhës – nga Rana e Hedhur deri në Tale janë dhënë rreth 50 leje për stacione plazhi. Pjesa tjetër e bregdetit do të mbetet e lirë për përdorim publik dhe do të administrohet permes një shoqërie të krijuar nga vetë Bashkia Lezhë.

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?