Aksioni anti-informalitet i përhershëm! Ibrahimaj: Vullnet i fortë i qeverisë, zero tolerancë ndaj bizneseve (VIDEO)

22 Korrik 2019, 12:29| Përditesimi: 22 Korrik 2019, 14:00

  • Share

TIRANE - Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, doli në një deklaratë për mediat, për t'i përcjellë së pari administratës tatimore, se lufta kundër informalitetit nuk është një plan masash i përkohshëm, por vullnet i fortë i qeverisë shqiptare - siç ajo u shpreh - për të vënë rregull në treg.

"Këtë takim me median, e kemi thirrur për të ndarë me ju dhe përmes jush me publikun e gjerë, një mesazh të qartë të Administratës tatimore, se lufta kundër informalitetit nuk është një plan i përkohshëm masash, por vullnet i fortë i Qeverisë Shqiptare për të garantuar rregulla të barabarta në treg; për të mbështetur biznesin që i respekton rregullat dhe punon çdo ditë për të siguruar fitime në mënyrë të ndershme. Administrata Tatimore dhe veçanërisht Strukturat e Monitorimit në Terren, po zbatojnë këtë plan operacional, kunder Informalitetit, i cili do të jetë sistematik, i bashkërenduar edhe me institucione të linjës, të koordinuar nga Ministria e Financave, në të gjithë territorin e vendit", tha Ibrahimaj.

Në deklaratën e parë për shtyp, drejtoresha e emëruar një javë më parë në këtë detyrë, tha se nuk do të tolerohet asnjë biznes që shkel ligjin.

"Asnjë sipërmarrës nuk mundet që të pasurohet duke shkelur ligjet në kurriz të të tjerëve. Nuk do të ketë më bare, lokale apo hotele që operojnë në treg pa NIPT-e. Nuk mund të ketë biznese që raportojnë xhiro sa një ambulant. Kjo bie ndesh me parimet e barazisë në treg, bie në kurriz të qytetarëve që kërkojnë me të drejtë shërbime publike të merituara, sepse ata paguajnë TVSH në çdo blerje që bëjnë, por kjo humbet në xhepat e biznesit që nuk e deklarojnë atë. Nuk ka asnjë tolerancë në këtë luftë! Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë!", tha Ibrahimaj.

Drejtoresha e Tatimeve bëri një bilanc të aksioneve të kryera në terren, ku vetëm në 20 ditë të para të korrikut janë konstatuar me shkelje 367 subjekte nga 1064 që janë kontrolluar në total.

"Lufta ndaj Informalitetit na përket të gjithëve, ndaj i lutem çdo subjekti apo konsumatori të na bashkohet, duke bërë me dije rastet kur konstatojnë parregullsi, si nga ana e bizneseve, por edhe për punonjësit tanë, nëse abuzojnë me detyrën e tyre", shtoi Ibrahimaj - duke thënë se së shpejti do të jetë gati edhe aplikacioni "Stop Informalitetit".

Deri në fund të vitit, do te kontrollohen 6200 subjekte, nga sektorët e evidentuar me risk të lartë si turizmi, ndërtimi, karburantet, të cilët do të kontrollohen, por aksioni kundër informalitetit do të përfshijë çdo subjekt, që prish konkurrencën e ndershme në treg.

Bilanci i kontrolleve

-62 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilët është marrë masa e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre pranë QKB dhe organeve tatimore.
-53 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar.
-106 tatimpagues të penalizuar për moslëshimin e kuponit tatimor (rasti i parë), ndërsa 12 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë).
-12 tatimpagues janë konstatuar pa pajisje fiskale dhe 12 të tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune.
-20 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor"

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?