Kur banorët e Thethit kanë 8 ditë që po përplasen me qeverinë, pasi refuzojnë ndërhyrjen e qeverisë për prishjen e ndërtimeve të paligjshme, vjen një mesazh nga Avokati i Popullit.
Drejtuesja e këtij institucioni, Erinda Ballanca u pyet nga gazetarët pas një aktiviteti, nëse ka ndonjë hetim mbi rastin dhe theksoi se Avokati i Popullit nuk mbështet ndërtimin e paligjshëm, por kërkon ndërhyrje më graduale nga shteti.
“Nuk dalim me deklarata të menjëhershme individuale. Nëse verifikojmë se ka një çështje e cila mund të përbëjë shkelje të të drejtave të njeriut ne mund të nisim një rast me iniciativë. U duhet dhënë kohë banorëve të ankohen dhe të shkojnë në gjykatë. Ne nuk mbështesim ndërtimin e paligjshëm dhe kaotik”, tha Ballanca.
Avokatja tha se institucioni i saj ka ngritur një grup pune për këtë çështje, por inspektorët akoma nuk kanë shkuar në terren.
“Në Theth nuk kemi një ankesë, do të duhet që qytetarët të bëjnë një ankesë. Kemi nisur një rast për këtë çështje, por do të duhet që ekipi ynë të shkojë në terren. Është çështje fazash dhe etapash, nuk kemi shkuar ende në terren, por do të shkojmë. Ne do të dalim në një qëndrim. Paraprakisht në verifikimin e parë duket në pamje të parë, që mund ketë, kur them mund do të thotë që nuk kemi pasur shkaqe për të kuptuar që ka një problematikë të tillë. Avokati i Popullit nuk mbështet ndërtimet pa leje”, theksoi Ballanca.
Avokatja e Popullit u largua, pa dhënë detaje se kur do të shkojnë inspektorët e saj në terren.
