Policia e Kosovës gjatë një aksionit për mbylljen e disa komunale paralele serbe në veri

Aksion në veri, autoritetet e Kosovës mbyllin pesë komuna paralele serbe! SHBA: Veprim i pakoordinuar me ne, rrezikon përshkallëzimin e konfliktit

30 Gusht, 18:23| Përditesimi: 30 Gusht, 22:53

  • Share

Autoritetet në Kosovë mbyllën të premten komunat paralele serbe në veri të vendit, në një veprim që ka të ngjarë të nxisë tensione të reja, në një kohë kur qeveria e Kosovës është kritikuar nga diplomacia perëndimore për “hapa të njëanshëm” në zonë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se me këtë rast janë mbyllur komuna paralele e Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, ajo e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut dhe komuna paralele e Leposaviqit.

“Këto pesë sot i bashkohen shtatë komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash. Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Policia e Kosovës, tha se operacioni në veri të vendit u zhvillua për të ndërprerë veprimtaritë në “pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.

Më herët gjatë këtij viti, autoritetet mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit.

“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës”, shkroi ministri Krasniqi.

Reagon SHBA: Veprim i pakoordinuar me ne

Sakaq, lidhur me këtë aksion ka reaguar ambasada e SHBA në Prishtinë duke u shprehur se është një veprim i pakoordinuar i qeverisë Kurti, e cila rrezikon përshkallëzimin e marrëdhënieve me Serbinë. Gjithashtu thuhet në reagim se përkeqëson dhe marrëdhëniet e Kosovës me SHBA.

"Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t'iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar", thuhet ndër të tjera. në reagimin e ambasadës.

Beogradi dënon aksionin e autoriteteve kosovare

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka kërkuar "reagim urgjent" dhe "më të ashpër" nga bashkësia ndërkombëtare. Vuçeviç tha se Serbia ka dërguar një mesazh të qartë se "avokon fuqishëm për paqen dhe stabilitetin" në rajon, por se “nuk do të lejojë dhunë dhe masakër kundër popullit të saj”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Serbisë.

Më vonë të premten, Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - mbajti konferencë për media në veri. Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se "sot u pa qartë se Kurti nuk i do serbët në Kosovë. Kjo është një përpjekje tjetër për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova, e para së gjithash nga veriu".

"Me këtë veprim sot, Kurti tregoi se nuk i do institucionet e Republikës së Serbisë, nuk e do Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe as serbët në Kosovë, e sidomos në veri", shtoi ai.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se mbyllja e institucioneve serbe në veri të Kosovës do të ketë “pasoja të gjera në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“Albin Kurti ka filluar t'i mbyllë të gjitha institucionet serbe në veri të krahinës, të cilat nuk janë institucione paralele, por institucione që duhet të jenë bazë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviç.

Ai shtoi se institucionet e mbyllura u kanë ofruar serbëve në Kosovë “një minimum shërbimesh publike dhe ekzistenciale si, beneficione sociale përmes pagave dhe pensioneve”.

Kosova: Komunat paralele institucione ilegale

Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme. Mbyllja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Operacioni u zhvillua në një kohë kur qeveria e Kosovës po përballet me kritika nga diplomacia perëndimore për veprime "të njëanshme dhe të pabashkërenduara”. Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i mbyllur institucionet paralele serbe.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga serbët.

Ora 22:46
Ambasada gjermane në një linjë me atë amerikane për mbylljen e 5 komunave: Zhgënjim për veprimet e pakoordinuara të qeverisë së Kosovës! Jo më kriza të panevojshme

1725051016_jornrohde.JPG

Edhe ambasadori gjerman ka ndarë të njëjtin shqetësim me ambasadën amerikane në Prishtinë lidhur me aksionin e sotëm të qeverisë së Kosovës që mbylli 5 komuna serbe në veri.

Ambsadori Jorn Rohde ndan të njëjtin qëndrim lidhur me veprimin e pakonsultuar të qeverisë Kurti.

Më tej shton në X se nuk duhen më kriza të panevojshme për heqje e barrierave që pengojnë integrimin.

'Njoftimi nuk është konsultim.

Gjermania i bashkohet @USEmbPrishtina në shprehjen e shqetësimeve dhe zhgënjimit për veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë. Ne duam të heqim masat dhe të ecim përpara në lidhje me integrimin rajonal dhe evropian. Jo më kriza të panevojshme.', thekson ambsadori Jorn Rohde në X.

 

Ora 21:38
Mbylla e 5 komunave paralele serbe në veri/ Ambasada e SHBA-së: Veprim i pakoordinuar i qeverisë së Kosovës! Marrëdhëniet tona drejt përkeqësimit

1725046891_hoevener.JPG

Ambasadori i SHBA në Prishtinë, Jeffrey Hovenier

Ambasada e SHBA në Kosovë ka reaguar lidhur me mbylljen e 5 komunave paralele serbe të cilat u mbyllën sot falë një askioni të qeverisë Kurti. Në reagimin e ambasadës në Prishtinë, thuhet se ky veprim i qeverisë së Kosovës ka qenë i pakoordinuar.

Më tej ambasada shprehet se veprimi i sotëm reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit mes SHBA dhe Kosovës. 

'Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë.

Me urdhër të autoriteteve politike të Qeverisë së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar sot, më 30 gusht, operacione kundër institucioneve të mbështetura nga Serbia në veri të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t'iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.

Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premton të "vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar". Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.', thuhet në reagimin e ambasadës.

Xh.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 31/08/2024 03:05

    Kosova ka te drejte qe i mbyll dhe e kuptoj arsyen,por do te ishte mire t'i benin keto veprime gradualisht,sa te mesohet perendimi, se Serbia nuk mesohet kurre.Te mjaftoheshin me hapjen e ures se Ibrit e me mbylljen e postes serbe,a cfare bene,tani per tani,po keshtu sic e kane nisur,me yrysh,po nxitohen e nuk e kuptoj arsyen e gjithe ketij revanshi,si biciklete pa frena ne te tatepjete!

    Përgjigju
  • Aqifi: 31/08/2024 00:39

    Po pse o njerez i lejoni te krijohen komuna paralele e kane vite qe ushtrojne sherbime paralele. E lini te behet muti mullar e tani shkoni e trazoni. Keputi qe ne momentin e pare dhe mbyllet puna.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?