Aksioni në Vlorë/ Drejtoria Detare: Trageti me mbetje të rrezikshme i penalizuar disa herë, mallrat në bord të padreklaruara (VIDEO)

21 Shkurt 2020, 21:10| Përditesimi: 21 Shkurt 2020, 22:10

  • Share

TIRANE - Drejtoria e Përgjithshme Detare ka bllokuar anijen, e cila u ndalua një ditë më parë në Portin e Vlorës pasi rezultoi se transportonte mbetje të rrezikshme. Lajmi është konfirmuar nga Paulin Ndreu, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, i cili ka deklaruar se menjëherë pas marrjes së njoftimit është ngritur grupi i punës i përbërë nga inspektorë të Kontrollit Shtetëror Portual.

Ndreu bën të ditur se nga inspektimi i kryer është konstatuar se dokumentacionin e anijes “S.T. Damian”, rezultoi se mallrat që kishte në bord nuk ishin deklaruar në dokumentin e deklarimit të mbetjeve që çdo anije dorëzon në portin ku mbërrin, teksa janë marrë edhe deklarimet e kapitenit dhe oficerëve të anijes.

“Grupi i inspektimit i përbërë nga inspektorët e Kontrollit Shtetëror Portual bën inspektimin e detajuar të gjithë procedurës së këtyre mallrave dhe morën dhe deklarimin e kapitenit dhe të oficerëve të anijes. Në dokumentacionin e saj rezultoi që këto mallra nuk ishin deklaruar në dokumentin e deklarimit të mbetjeve që çdo anije dorëzon në portin ku mbërrin. Në këto kushte ne kemi bërë bllokimin e anijes deri në vendimin përfundimtar të organeve të specializuara dhe vlerësimin e materialeve të rrezikshme. Në pamjen e parë nga inspektimi që është bërë, ato janë mbetjet e një anije, të ndërrimit të dhomave dhe veshjeve të anijes. Megjithatë, vlerësimin përfundimtar do ta japin laboratorët të cilët do të përcaktojnë se cili është niveli i këtyre mbetjeve, sa të rrezikshme janë. Jemi gjithmonë në pritje të hetimit dhe përfundimit të hetimeve dhe pastaj ne do të bëjmë vlerësimin e të gjithë situatës dhe mbi vlerësimin e të gjithë situatës dhe të përgjigjes ne do të marrin edhe masat të cilat normalisht do të shkojnë nga minimalja deri në masa ekstreme”, u shpreh Ndreu.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare bëri të ditur se anija në fjalë ka shkelur disa prej Konventave Ndërkombëtare teksa sqaron se kjo kompani ka qenë në vëzhgim nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme Detare pasi është konstatuar edhe herë të tjera për vepra të kundra ligjshme detare, madje ka pasur dhe penalzime ndaj saj, sa i takon mënyrës së operimit dhe thyerjes së rregullave dhe urdhrave në ujërat territorial të Republikës së Shqipërisë.

“Kjo anije dhe kjo kompani ka qenë problematike edhe më parë. Ne kemi marrë gjithmonë masa dhe e kemi mbajtur në vëzhgim dhe monitorim për shkeljet që ka kryer, por ky rast është shumë i rëndë, pasi transporti i këtyre mbetjeve krijon një precedent shumë të rrezikshëm për shëndetin edhe të pasagjerëve që udhëtojnë me këtë anije, por edhe të vendeve ku ato groposen. Pas vlerësimit të situatës dhe inspektimit të detajuar nga kontrolli shtetëror portual ne ditën e nesërme do të bëjmë dhe njoftimin e shtetit të flamurit, pasi kjo është një anije me flamur të huaj (Panama) dhe si anije me flamur të huaj ajo ka disa të drejta dhe disa detyrime në shtetet në të cilat operon”, sqaroi drejtori Ndreu.

Ndreu shprehet se i kanë kërkuar SPAK-ut të hetojë mbi këtë çështje dhe se do të jetë gjykata që do të vendosë për bllokimin ose jo të anijes. Një ditë më parë në Portin e Vlorës u ndalua një anije e linjës Brindisi-Vlorë, e cila transportonte një sasi mbetjesh të cilat dyshohen të rrezikshme, ndërsa u arrestuan 6 persona.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?