17 334 m² sipërfaqe është liruar në Tiranë në kuadër të aksionit të lirimit të hapësirave publike.
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) bën me dije se gjatë këtyre ditëve të aksionit janë njoftuar 1428 subjekte, janë bërë 352 çmontime vullnetare si dhe 32 akt konstatime kundravajtje.
“Vijon lirimi i hapësirave publike në akset kryesore, për të vijuar më tej, në çdo cep të qytetit.”, thotë IMT.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike vijon prej disa ditësh tashmë pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë, pas vizitave në disa bashki, urdhëroi edhe një “rifreskim” të administratës. Pas kritikave të tij, pati një valë dorëheqjesh dhe shkarkimesh të drejtuesve të njësive administrative dhe zyrtarëve nëpër bashki.
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në Vlorë ka vijuar këtë të premte aksionin në qytet për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.
Aksioni është zhvilluar në disa zona të qytetit ku janë konstatuar bllokime të trotuareve, rrugëve dytësore dhe shesheve publike nga struktura pa leje, mungese në dokumentacion etj.
Mëngjesin e sotëm është shembur një godinë, që sipas IMT, ishte ngritur në hapësirë publike.
Gjatë aksionit nuk ka patur kundërshtime nga banorët, ndërsa nga inspektoriati konfirmohet se janë evidentuar të tjera objekte të cilat pritet të shemben gjatë ditëve në vijim.
Qëllimi i këtij aksioni është rikthimi i hapësirave publike në funksion të qytetarëve dhe rritja e standardeve urbane.
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka bërë me dije se kontrollet do të vijojnë në ditët në vijim dhe se çdo ndërtim apo zaptim pa leje do të trajtohet sipas ligjit në fuqi.
Në zbatim të urdhrit të Kryeministrit Edi Rama, Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit i Bashkisë Kurbin ka nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Laçit.
Tregtarët informalë ishin paralajmëruar më herët për këtë nderhyrje, dhe një pjesë e tyre kishin liruar vetë hapësirat e zëna në mënyrë të paligjshme. Ndërsa, për ata që vijonin aktivitetin në kundërshtim me ligjin, ka nisur shembja e strukturave të ngritura pa leje.
Në disa zona të qytetit, sidomos pranë pallateve, ishin ngritur objekte tregtare pa leje, të cilat jo vetëm zinin trotuaret dhe hapësirat publike, por pengonin dhe lëvizjen e qytetarëve në rrugicat e lagjeve. Drejtori i Inspektoratit Vendor te Mbrojtjes së Territorit ne Bashkisë Kurbin në Bashkinë Kurbin, Jetmir Mzhika, thotë se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se qëllimi është rikthimi i hapësirave publike në funksion të komunitetit dhe zbatimi i ligjit njësoj për të gjithë.
“Në kuadër të lirimit të hapësirave publike, kemi vazhduar aksionin për çdo hapësirë publike të zënë. Kemi mbështetje të plotë nga policia e rendit dhe asaj bashkiake. Pas Laçit aksionin do ta vazhdojmë në Mamurras, Milotin dhe Fushë- Kuqe”, tha Jetmir Mzhika.
Krahas qytetit të Laçit, aksioni për lirimin e hapësirave publike do të shtrihet edhe në zona të tjera të Bashkisë Kurbin. Autoritetet bëjnë me dije se ky proces do të vijojë pa ndërprerje deri në rikthimin e rendit urban dhe zbatimin e ligjit në çdo lagje.
Komente
