Qeveria ka nisur aksionin prej disa ditësh për sigurinë ushqimore, duke kërkuar fatura për të garantuar gjurmueshmërinë e produkteve bujqësore e blegtorale.
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, në një intervistë në Report Tv në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu, tha se kjo nismë vjen për shkak të presionit që ka qeveria përballë Bashkimit Europian për hapjen e kapitullit për sigurinë ushqimore.
“Qeveria ndodhet në një presion të madh, sepse brenda këtij viti do të hapen 3 kapitujt e bujqësisë. Kapitulli 12 që është ai i siguirosë ushqimore në mënyrë taksative kërkon formalizimin e prodhimieve bujqësore, kështu që qeveria do ti përgjigjet patjetër me një kundërmasë. Mitrëpo çfarë ndodh? Besoj e keni ndjekur shprehjen e vullnetit të qeverisë nëpërmjet Kryeministrit që nuk do të tolerohet më asnjë mall ushqimor që prodhohet brenda vendit për t’u tregtuar pa faturë tatimore”.
Por sipas Panaritit, 90% e prodhuesve të vegjël do të përballen me vështirësi të madhe dhe mund të falimentojnë duke mos arritur të përmbushin standardet e kërkuara për sigurinë ushqimore. Kjo për shkak se kërkohen investime financiare.
“Mirëpo e shpallur kështu në mënyrë taksative dhe ultimative kur themi rreth 90% e prodhuesve shqiptarë që janë prodhues të vegjël e të mesëm, janë totalisht të papërgatitur për t’u futur në një marrëdhënie të tillë të fiskalizuar, sepse nuk janë të dukshëm në treg; nuk kanë as identifikim, nuk kanë as nipt që të jenë të përfshirë në nismën e formalizimit të bujqësisë, duke u përballur me një masë të tillë e cila është asgjësuese për ta. Unë e kuptoj qeverinë, se ndonjëherë është mirë për t’i thjeshtuar gjërat. Kur nuk e zgjidh Nyjen Gordiane, është mirë ta presësh atë. Dhe qeveria përgjithësisht, këto 10 vitet e fundit, këtë lloj mentaliteti ka pasur. Se sa arrin ta zgjidhë përfshirjen e prodhimit vendas, të prodhimit të vogël e të mesëm, më mirë i nxjerr jashtë tregut dhe lidhet me të mëdhenjtë e të fuqishmit që janë ata që janë sipërmarrës të formalizuar sepse ata i kanë pasur mundësitë për t’u pajisur dhe me nipt, për të qenë të dukshëm, edhe në kuptimin e gjurmueshmërisë, i kanë sistemet e avancuara të gjurmueshmërisë sepse janë të fuqishëm për të instaluar këto sisteme. Dhe me këto e kemi të garantuar që do të jemi të suksesshëm me negociatat me BE. Por nxjerr jashtë lojë rreth 90% të prodhuesve të vegjël të cilët ngaqë nuk e gjejnë veten në këtë lloj përmase të re të marrëdhënies së shtetit me prodhimin, do të falimentojnë. Dhe kjo reflektohet në uljen drastike të numrit të krerëve”, theksoi ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
Komente
