Partia Demokratike kritikon aksionin e qeverisë për sigurinë ushqimore dhe sekuestron e produkteve blegtorale e bujqësore pa faturë. Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, e cilëson këtë aksion si një “ultimatum” të Edi Ramës, që jo vetëm nuk garanton sigurinë ushqimore, por dëmton rëndë fermerët dhe prodhimin vendas. Sipas PD, aksioni nuk ka në qendër interesin publik, por mbulimin e dështimeve qeveritare dhe goditjen e prodhuesve të vegjël.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Pas ultimatumit të Edi Ramës para disa ditësh nisi aksioni për faturimin e detyrueshëm të produkteve ushqimore dhe blegtorale me qëllim gjurmueshmërinë e produkteve për të garantuar sigurinë ushqimore. Për këtë, Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Administrata Tatimore në aksion të përbashkët nisën penalizimet e sekuestrimet e mallrave pa faturë.
Mirë që tatimet reaguan publikisht, ndryshe administrata e devotshme e Edi Ramës po zbarkonte edhe te shitësit ambulantë pavarësisht se ata përjashtohen nga lëshimi i faturave tatimore dhe mbajtja e dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.
Në vëmendje të Edi Ramës në fakt duhet të jenë statistikat e INSTAT sipas të cilit:
Në vitin 2024 numri i krerëve të bagëtive është ulur në total 30% më pak krahasuar me vitin 2014. Në vitin 2024 prodhimet blegtorale janë ulur në total 20% më pak krahasuar me vitin 2014. Në vitin 2024 sasia e qumështit të grumbulluar është ulur në total me 32% më pak krahasuar me vitin 2019.
Sipas statistikave edhe peshkimi në vitin 2024, ka shënuar një rënie prej 14,9% të sasisë së peshkut të zënë nga të gjitha kategoritë ujore krahasuar me një vit më parë. Ndërsa shpenzimet për importin kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit duke bërë që në vitin 2024 në total të ishin 40% më të larta krahasuar me vitin 2020.
Këto të dhëna dëshmojnë për dështimin e politikave të ndjekura nga qeveria Rama, që kanë sjellë një rënie drastike të prodhimit vendas dhe kanë thelluar varësinë nga importet. Sikur të mos mjaftonin këto, në vend të krijojë strategji të mirëstudiuara dhe testuara për fermerët e prodhimin vendas jep ultimatum për raprezalje nën justifikimin e sigurisë ushqimore.
Mungesa e sigurisë ushqimore në thelb shkaktohet nga politikat e gabuara të shtetit dhe keqorientimi ndër vite i prodhuesve vendas. E vërteta është se siguria ushqimore nuk garantohet përmes faturave tatimore.
Ajo kërkon: analiza mikrobiologjike, kimike dhe fiziko- kimike; inspektime në vend për kontrollin e afatit, kushtet e ruajtjes së produkteve ushqimore, monitorim të temperaturës, vlerësimin organoleptik nga profesionistë, marrjen e mostrave nga tregu etj., si këto. Dhe kur shteti dështon në përmbushjen e këtyre detyrave të tij, fillon raprezalje duke u marrë edhe me rigonin e Bardhës…
Ky është standardi i Edi Ramës dhe qeverisjes së tij, që po rrezikon shitjen e produkteve të blegtorëve të vegjël duke i destinuar ata të tërhiqen plotësisht nga mbarështrimi i bagëtive dhe jo vetëm, e duke favorizuar vetëm importet. Por për kryeministrin, duket se rëndësi ka vetëm që ‘shfaqja të vazhdojë’, dhe të mbajë të sigurt 82 mandatet produkt i farsës elektorale.
Komente
