FIER- CEO i kompanisë 'Bankers', Hong Ping Xiao, dhe ish-CEO Leonidha Çobaj, kanë mbërritur këtë të shtunë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier, për verifikimin e masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Fierit pas kërkesës së prokurorisë. Seanca nisi prej orës 09:00 dhe vijon prej 6 orësh.
Të dy drejtuesit u sollën në ambientet e gjykatës me një furgon të policisë, ndërsa ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda për evazion fiskal, që sipas hetimeve paraprake, i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik prej mbi 5 miliardë euro.
Përveç Hong Ping Xiao dhe Leonidha Çobaj, janë lëshuar masa sigurie për edhe 7 punonjës dhe zyrtarë të tjerë të kompanisë. Edhe ata janë paraqitur në Gjykatë për verifikim të masës së sigurisë, ndërsa 5 janë ende në kërkim.
Hetimet janë zhvilluar nga Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me strukturat tatimore dhe policore, dhe lidhen me dyshime për deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në një shkallë masive. Gjykata pritet të vendosë nëse do të lërë në fuqi masat e dhëna ndaj personave të dyshuar si të përfshire në evazion apo do të kemi lehtësim të tyre.
Aksioni në “Bankers Petroleum”, erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, sipas prokurorisë së Fierit ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend. “Bankers Petroleum” krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë. Në këtë mënyrë për 20 vite ka shmangur detyrimet tatime, madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je.
Lajmi në përditësim...
Komente
