Report Tv ka arritur të zbardhë mbrojtjen e ish-administratorit të kompanisë Bankers, Leonidha Çobo, i cili ka dalë para Gjykatës së Fierit për t’u njohur me masën e sigurisë arrest me burg.
Në mbrojtjen e siguruar ekskluzivisht nga gazetarja e Report Tv, Marsela Topi, mësohet se Maksim Sota, avokati i Çobës, ka deklaruar në gjyq se ai e ka kryer detyrën në mënyrë korrekte nga viti 2010-2015. Avokati ka deklaruar se periudha e hetuar nga Prokuroria e Fierit, i referohet viteve 2018 e në vijim, kur Çobo nuk ka më pasur asnjë funksion në kompani, ndërsa raportet mbi të cilat janë ngritur akuzat janë të pas 2018-ës.
Në qëndrimin e tij, Çobo thekson se marrëdhënia kontraktuale e Bankers me shtetin shqiptar është është e rregulluar me Marrëveshjen e Hidrokarbureve të vitin 2004. Mbrojtja ka theksuar se çdo pretendim lidhur me investimet e realizuara nga Bankers për periudhën 2010-2015, kur Cobo ka qenë administrator, janë audituar dhe verifikuar nga AKBN dhe Drejtoria e Tatimeve, për të cilat ka edhe disa vendime gjyqësore dhe të Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, që konfirmojnë rregullshmërinë e aktivitetit për këtë periudhë.
Në mbrojtjen e tij theksohet se Cobo është hetuar në vitin 2020-2021 nga Prokuroria Fier për veprimet e administrimit të kompanisë Bankers, procedim i regjistruar mbi bazën e kallëzimet penal të vet Bankers, pas ndryshimit të pronësisë në vitin 2018, për shpërdorim të kompetencave të administratorit, vjedhje duke shpërdoruar detyrën, korrupsion në sektorin privat. Avokati tha se ky hetim është pushuar nga Gjykata e Fierit me kërkesë të vetë prokurorisë dhe është lënë në fuqi nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë Gjykatën e Lartë.
Avokati mbrojtës Maksim Sota ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë duke thënë se “Çobo, ka mbi 10 vjet që nuk është më në administrim të Bankers dhe vendosja e tij në masën ekstreme të paraburgimit për pretendime të pabazuara apo të hetuara më parë, pa u thirrur dhe pyetur asnjëherë nga prokuroria, është jo vetëm e pabazuar ligjërisht, por në shkelje të hapur të një procesi të rregullt ligjor.”
Mbrojtja e plotë e Leonidha Çobës dhe deklarata e avokatit Maksim Sota:
“Z. Leonidha Çobo ka qenë administrator i Bankers për periudhën 2010-2015 dhe e ka kryer detyrën e tij në mënyrën me korrekte të mundshme. Periudha kohore e hetuar nga prokuroria dhe çdo pretendim, bazohet në raport kontrollet e viteve 2018 e në vijim. Marrëdhënia e Bankers në shtetin shqiptar, kompaninë Albpetrol sh.a, është e rregulluar me Marrëveshjet Hidrokarbure të vitit 2004, ku është përcaktuar detyrimi i Bankers për kryerjen e investimeve në zhvillimin e aktivitetit.
Çdo pretendim lidhur me fshehjen e të ardhurave apo investimeve të realizuara nga Bankers për periudhën 2010-2015, kur z. Çobo ka qenë administrator, janë audituar dhe verifikuar nga AKBN dhe Drejtoria e Tatimeve, për të cilat ka edhe disa vendime gjyqësore dhe të Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, që konfirmojnë rregullshmërinë e aktivitetit për këtë periudhë.
Theksojmë se referuar neni 25 të Licensë Marrëveshjes i cili parashikon mënyrën që si zgjidhet mosmarrëveshja mes palëve (eksperte dhe/ose tribunalen e arbitrazh), dhe vendimi është detyrues për palët. Për këtë situatë vetë Gjykata e Arbitrazhit ICC me shkresë zyrtare si akt i njohur i rregullores së ICC ka konfirmuar faktin qe vendimi është detyrues dhe i formës së prerë për palët duke mos patur mjet tjetër ankimi. Edhe pse ka një vendimmarrje të tillë kjo nuk është marrë parasysh nga ana e prokurorisë duke bërë një hetim të dobët dhe periferik pa u thelluar në analizën e situatave financiare dhe gjyqësore të shoqërisë që shfaqin një tjetër situatë ligjore dhe financiare.
Ky qëndrim i gjykatës së arbitrazhit nuk mund të vihet në diskutim nga asnjë trupë gjyqësore shqiptare, civile, administrative apo qoftë edhe penale pasi çështjet e arbitrazhit nuk vihen në diskutim nga ligji procedurial civil kombëtarë dhe as janë pjesë e juridiksionit shqiptarë sa kohë palët me vullnet të lirë që në lidhjen e marrëveshjes vendosin një gjykatë të posaçme për zgjidhjen e çështjeve të tyre në rast mosmarrëveshjeve. Përndryshe përmbyset rendi juridik i së drejtës ndërkombëtare, ku Shqipëria aderon duke lënë pa fuqi normat detyruese dhe për pasojë krimin e paligjshmërisë.
Për më tepër, duke qenë një shoqëri e listuar deri në 2016 në bursën e Torontos dhe të Londrës, dhe duke zbatuar rregullat më të mira drejtuese të shoqërisë për transparencë ndaj aksionarëve, është audituar nga shoqëri ndërkombëtare, në funksion të performancës ekonomike, mbikëqyrur nga Bordi Drejtues.
Po kështu, z. Çobo është hetuar në vitin 2020-2021 nga Prokuroria Fier për veprimet e administrimit të kompanisë Bankers, procedim i regjistruar mbi bazën e kallëzimit penal të vet Bankers, pas ndryshimit të pronësisë në vitin 2016, për shpërdorim të kompetencave të administratorit, vjedhje duke shpërdoruar detyrën, korrupsion në sektorin privat, etj, duke kërkuar në përfundim të hetimeve pushimin e procedimit.
Kërkesa e prokurorisë është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier dhe është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit dhe nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Ky procedim penal mban nr. 966/2020 dhe ndodhet në arkivën e prokurorisë, por nuk është përmendur në asnjë moment të këtij hetimi.
Prokuroria ka pretenduar se Bankers me dashje ka nxjerrë bilancet e aktivitetit të saj me humbje, fakt jo i vërtetë, të paktën për periudhën 2010-2015, pasi pasqyrat financiar të Bankers rezultojnë me fitim kontabël dhe me të hyra monetare të konsiderueshme, të cilat janë riinvestuar tërësisht në funksion të zhvillimit të aktivitetit dhe rritjes së vlerës së aseteve dhe performancës të Bankers.
Pra, kemi të bëjmë me dy rezultate te ndryshme, fitim kontabël i shoqërisë dhe fitim fiskal, që përllogaritet nga ligje të posaçme që normojnë këtë aktivitet dhe marrëveshjet hidrokarbure, të cilat akuza qëllimisht i ngatërron. Prokuroria nuk ka marrë parasysh dhe as ka analizuar se sa ka qenë vlera e aseteve të kompanisë në vitin 2004 dhe sa është vlera e aseteve aktuale, pas investimeve të kryera.
Shoqëria Bankers ndër vite ka investuar disa miliardë euro në ekonominë shqiptare, duke kontribuar drejtpërdrejt me rreth 750 milionë euro rentë të paguar, qindra miliona euro të tjera në taksa dhe tatime të paguara nga shërbimet e shoqërive të nënkontraktuara, dhjetëra milion euro taksa lokale dhe investime në komunitetet lokale, si dhe mijëra persona të punësuar.
Z. Çobo, ka mbi 10 vjet që nuk është më në administrim të Bankers dhe vendosja e tij në masën ekstreme të paraburgimit për pretendime të pabazuara apo të hetuara më parë, pa u thirrur dhe pyetur asnjëherë nga prokuroria, është jo vetëm e pabazuar ligjërisht, por në shkelje të hapur të një procesi të rregullt ligjor.
Siç dhe evidentohet sa më sipër hetimi është bërë në kundërshtim me parashikimet dhe garancitë proceduriale që kërkon Kodi i Procedures Penale pasi është çmuar de plano në një kohë tepër të shkurtër duke shkelur garancitë proceduriale penale për personat e vendosur nën masë sigurimi. Kjo veprimtari nuk gjen mbështetje në Kodin e Procedurës Penale dhe është një precedent i rrezikshëm që flet vetëm për një ngutje të theksuar dhe jo profesionale të organit të akuzës.
Krahas kësaj nga prokuroria nuk janë marrë në konsideratë dhe as janë verifikuar në lidhje me shumë vendimmarrje gjyqësore, të lëna në fuqi deri në Gjykatë të Lartë, ku shoqëria Bankers ka fituar mbi 10 procese gjyqësore kundër administratës tatimore për vlera detyrimesh tatimore të ngarkuara padrejtësisht ndaj nesh. Janë pikërisht këto detyrime tatimore të cilat aktualisht janë bërë pjesë e vlerës së detyrimit tatimor që prokuroria ka nxjerrë si dëm i veprës penale i shkaktuar nga shoqëria Bankers, ndërkohë që qartësisht këto detyrime nuk mund të ekzistojnë për ne.
E gjithë kjo mënyrë e të proceduarit të prokurorisë krijon qartazi përpjekjen për të përbaltur drejtuesit e saj si dhe shoqërinë tonë me detyrime tatimore inekzistente dhe tashmë që përbejnë gjë të gjykuar”.
Lajmi kryesor:
Evazioni fiskal te Bankers, 8 orë seancë në Gjykatën e Fierit! Lihen në burg CEO kinez dhe ish-drejtori! 5 në arrest shtëpie dhe 3 detyrim paraqitjeje (VIDEO)
SI.E./A.Q/ReportTv.al