Për anëtarin e komisionit të jashtëm, Ralf Gjoni aktakuzat ndaj ish drejtuesve të UÇK-së është një lojë e pisët politike. I ftuar në Repolitix, ai deklaroi se këto aktakuza, të cilat ende janë nën hetim, ndikojnë në perceptimin e ndërkombëtarëve mbi Kosovën dhe Shqipërinë ku kanë një impakt shumë të madh dhe në marrëdhënie të ndryshme midis shteteve.
Sipas Gjonit, në këtë proces ka ndërhyrje nga shtete dhe instanca ndërkombëtare pro ruse dhe pro serbe për të dëmtuar imazhin e shqiptarëve.
"Ajo që më ka shqetësuar është efekti që ka dhënë aktakuza në nivel mediatik për Kosovën dhe Shqipërinë. Nuk e shoh thjesht si një çështje ligjore. Gjykata e Hagës le të hetojë por jo të bëhet antishqiptare. Nuk e kam kuptuar se pse është ngritur kjo gjykatë. Ka qenë një luftë. Nisi si një rezultat i një represioni të madh. Një spastrim etnik nga Millosheviçi. Ishte një program i paramenduar gjenocidi ndaj popullsisë së Kosovës. UÇK-ja lindi për të mbrojtur popullsinë. Në luftëra ndodhin shumë gjëra. Në shumë luftëra në shtete të tjera ka ndodhur shumë ngjarje por tani nuk do të kërkojmë gjykata speciale për çdo politikanë. Nuk na takon si shqiptar që të konsiderojmë krime në luftë, kur ende janë nën hetim. Është një lojë e pisët politike që do vazhdojë shumë në kohë. E gjithë kjo ngjarje është pasqyruar në mediat ndërkombëtare duke i cilësuar si kriminelë. Ajo që më shqetëson është që këtu mban erë të disa forcave ndërkombëtare pro ruse dhe pro serbe. Ne jemi jo vetëm në një luftë juridike, por jemi në një luftë PR prej vitesh. Mbi këto fabula ndërtohen dhe fabulat e integrimit europian që ndikojnë në perceptimin e ndërkombëtarëve" - tha Gjoni.
Lajmi kryesor:
Aktakuzat nga Haga/ Bojken Abazi i Vetëvendosjes në Repolitix: Nuk është parë më parë një gjykatë e tillë! Gjoni: Ka ndërhyrje të shteteve pro ruse e pro serbe
E.M./ReportTv.al