Flakadanët e hedhur në stadiumin "Air Albania" dhe dhuna në ndeshjen e Kombëtares, fituar 2-0 kundër Polonisë më 10 shtator në "Air Albania", i ka kushtuar shumë pesë tifozëve kuqezi. Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka përjashtuar për një afat të pacaktuar nga stadiumet shqiptare tifozët: Gerti Lleshi, Rinor Grajveci, Edmond Hyseni, Almir Dubovci dhe Berat Maloku.
Veç sendeve të hedhura në fushë dhe ndalimit të lojës, edhe në fund të ndeshjes për kualifikueset e Euro 2024 pati përleshje mes tifozëve jashtë stadiumit. Një kopje e këtij vendimi do i kalojë edhe policisë.
Kujtojmë se UEFA gjobiti FSHF-në me 44 mijë euro gjobë për këto incidente, ndërsa 12 tifozë shqiptarë dhe polakë u shoqëruan nga policia.
"Pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, korrespondencën me policinë e shtetit lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen Shqipëri – Poloni të zhvilluar më datë 10.09.2023, ku janë konstatuar shkelje të parashikimeve ligjore të nenit 48 e vijues të Ligjit 79/2021 “Për Sportin” si dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi duke u bazuar edhe në nenet 66 të statutit të FSHF , Nenit 59 e vijues të KDE, VENDOSI:
1. Të ndalojë hyrjen në stadiumet e futbollit të Republikës së Shqipërisë ku zhvillohen veprimtari të organizuara nga FSHF, UEFA e FIFA për një periudhë të pakufizuar kohe personave të më poshtëm: – Gerti Lleshi – Rinor Grajveci – Edmond Hyseni – Almir Dubovci – Berat Maloku
2. Në bazë të Nenit 7 të KDE, udhëzohen të gjithë anëtarët e FSHF të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi.
3. Një kopje e këtij vendimi t`i përcillet Policisë së Shtetit", njofton FSHF.
Pse te perjashtohen tifozet? Te penalizohen dhe te perjashtohen nga radhet e policise qe i lejuan keto tifoza te fusin dhe hedhjen e flakadanve!
Përgjigju