TIRANË- Denoncimi i artikuluar publikisht ndaj ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca rezultoi se jo vetëm nuk ishte depozituar zyrtarisht në SPAK, por ajo që e bën më të rëndë është se ky vendim nuk ka marrë dakordësinë e gjithë grupimit, por përfaqëson interesa të një grupi të vogël. Faqja “Ne jemi Teatri” është distancuar publikisht nga akuzat dhe sulmet ndaj diplomatiti të BE-së, duke shtuar mes të tjerash se kjo Aleancë prej kohësh nuk funksionon më. Si një reflektim pas deklaratës së BE-së që i doli në mbrojtje Sorecës, “Ne jemi Teatri” thekson se sulmet dhe akuzat e bëra në drejtim të tij është një lëvizje për interesa personale.
“Meqë emri i Aleancës shkoi deri te goja e zëdhënësit të BE, është mirë që publiku të sqarohet se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, si grupim bazik qytetar i ngritur dhe themeluar nga artistë kurajozë, qytetarë të lirë, intelektualë e figura të larta të mendjes e kulturës, me eksponentë të subjekteve politike opozitare nga një spektër i gjerë, kjo Aleancë nuk funksionon më prej muajsh si e tillë. Natyrshëm që pas shembjes që godinës, që e ruante njëfarë kohezioni, grupime të ndryshme vendosën me vullnet të lirë që të ndiqnin rrugëtime të ndryshme për vazhdimësinë e kauzës. Çdo akt dhe aksion, formal dhe informal, që kryhet duke përdorur logon e Aleancës, përfaqëson vullnetin e aktivistëve nominalë, që veprojnë në të drejtën e tyre, por jo të Aleancës.
E bëjmë këtë sqarim, meqë emri i Aleancës është anatemuar si një lëvizje e përdorur politikisht. Ky ka qenë dhe vullneti i përbashkët, që për veprime pa konsesus të gjerë, gjithsecili të veprojë në emër të vetes dhe grupimit por jo në emër të Aleancës. Ne e kemi e respektuar këtë angazhim, ndërkohë që aktivistë të tjerë vazhdojnë të flasin në emër të Aleancës. Të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për kauzën e Teatrit, janë aktivistë të kësaj Aleance të gjerë, në rradhë të parë morale, për të përbashkëtën, por Aleancën nuk mund ta futësh në xhep e ta tundësh kudo ku shkon, sepse minimalisht është fyerje ndaj kontribuesve, zërave të dhjetëra qytetarëve aktivistë të angazhuar në këtë kauzë dhe mijëra qytetarëve që e kanë mbështetur atë në shesh ose në distancë”, thuhet në deklaratë.
Ato ndalen edhe te denoncimi në SPAK ndaj Sorecës, sipas së cilëve në një kohë që nuk kanë prova, lënë hapësirë për të dyshuar se ka qëllime dashakeqe.
“Denoncime të interpretueshme, vetëm se dëmtojnë imazhin e përpjekjeve të përbashkëta. Kur provat mungojnë, por ka dyshim për keqbërje, bëhet denoncim politik dhe nuk bëhet politikë me padi që vënë në rrezik kauzën. Deri tani kemi zero aksione nga SPAK dhe një vendim gjysmak nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ndaj arsyet për të dyshuar janë të mirëqena”, shkruan "Ne jemi Teatri”.
Edhe ata vetë e pranojnë se përfshirja e politikës në kauzën e tyre i dëmtoi, e nisur nga kjo theksojnë se beteja e tyre ka nisur kundër pushtetit, por tani më, sipas tyre është krejtësisht politike “për qëllimeve individuale të paqarta”.
“Beteja është kundër pushtetit, por dhe kundër atyre që duan ta ngushtojnë përpjekjen e përbashkët qytetare në hullitë e hesapeve politike dhe qëllimeve individuale të paqarta. Partitizimi ka qenë fatal për Teatrin. Me aktorë politikë ka vetëm partneritet për një interes të përbashkët, në kushtet e besueshmërisë, kurrsesi delegim të aksionit”, thuhet ndër të tjera.
Ky reagim vjen pasi BE-ja ka vlerësuar maksimalisht punën e bërë të ambasadorit Luigi Soreca duke i cilësuar shpifje akuzat se ka ndërhyrë te Gjykata Kushtetuese në mbrojtje të Erion Veliaj për shembjen e Teatrit. Megjithatë, ajo padi e artikuluar rezultoi se ishte një blof nga ana e Aleancës pasi nuk ka një padi të depozituar zyrtarisht në SPAK.
Deklarata e plotë
Meqë emri i Aleancës shkoi deri te goja e zëdhënësit të BE, është mirë që publiku të sqarohet se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, si grupim bazik qytetar i ngritur dhe themeluar nga artistë kurajozë, qytetarë të lirë, intelektualë e figura të larta të mendjes e kulturës, me eksponentë të subjekteve politike opozitare nga një spektër i gjerë, kjo Aleancë nuk funksionon më prej muajsh si e tillë.
Natyrshëm që pas shembjes që godinës, që e ruante njëfarë kohezioni, grupime të ndryshme vendosën me vullnet të lirë që të ndiqnin rrugëtime të ndryshme për vazhdimësinë e kauzës. Çdo akt dhe aksion, formal dhe informal, që kryhet duke përdorur logon e Aleancës, përfaqëson vullnetin e aktivistëve nominalë, që veprojnë në të drejtën e tyre, por jo të Aleancës.
E bëjmë këtë sqarim, meqë emri i Aleancës është anatemuar si një lëvizje e përdorur politikisht. Ky ka qenë dhe vullneti i përbashkët, që për veprime pa konsesus të gjerë, gjithsecili të veprojë në emër të vetes dhe grupimit por jo në emër të Aleancës. Ne e kemi e respektuar këtë angazhim, ndërkohë që aktivistë të tjerë vazhdojnë të flasin në emër të Aleancës. Të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për kauzën e Teatrit, janë aktivistë të kësaj Aleance të gjerë, në rradhë të parë morale, për të përbashkëtën, por Aleancën nuk mund ta futësh në xhep e ta tundësh kudo ku shkon, sepse minimalisht është fyerje ndaj kontribuesve, zërave të dhjetëra qytetarëve aktivistë të angazhuar në këtë kauzë dhe mijëra qytetarëve që e kanë mbështetur atë në shesh ose në distancë.
1.Kostumi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit sot nuk përfaqëson gjithë lëvizjen qytetare që mbrojti ndërtesën e Teatrit per dy vite e gjysëm. Ajo lëvizje ishte e gjerë sepse lidhej me fatet e një vlere dhe simbolike kombëtare dhe ishte horizontale dhe e hapur për të gjithë llojet e ideve dhe kontributeve për të mundësuar mbrojtjen dhe gjallërimin e kësaj vlere dhe simbolike kombëtare. Si lëvizje horizontale ajo nuk ishte e fokusuar tek individët dhe aktet e tyre të zhvilluara si scoop mediatik, por tek ideja, tek qëllimi i përbashkët dhe lëvizja transformuese për shoqërinë.
2.Pas shembjes, rrugëtimi për kauzën e Teatrit është kthyer në një çështje reflektimi rrënjësor, ku të gjithë aktorët ballafaqohen me krimin para syve. Ata bëjnë betejën e tyre për Teatrin ashtu si e konsiderojnë më të drejtë, dëgjojnë njëri-tjetrin për si mund të bashkëpunojnë sa më mirë për të mundësuar dënimin e fajtorëve dhe ringritjen e teatrit aty ku ishte si ishte. Ajo që konstatojmë tash më shumë se një vit pas shembjes së teatrit, është që dëgjimi jo vetëm që ka munguar, por nga individë të veçantë është zëvendësuar me retorikë që përmban shpifje dhe denigrim.
3.Beteja është kundër pushtetit, por dhe kundër atyre që duan ta ngushtojnë përpjekjen e përbashkët qytetare në hullitë e hesapeve politike dhe qëllimeve individuale të paqarta. Partitizimi ka qenë fatal për Teatrin. Me aktorë politikë ka vetëm partneritet për një interes të përbashkët, në kushtet e besueshmërisë, kurrsesi delegim të aksionit.
4. Problemi me Reformën në Drejtësi është problem në rradhë të parë besimi dhe legjitimiteti, më shumë se i lidhur me aktorë të veçantë. Reforma në Drejtësi shfaq shenja të dallueshme të mungesës së lirisë dhe sovranitetit politik të sistemit gjyqësor. Sistemi gjyqësor kështu si është themeluar pas reformës, është i ekspozuar ndaj ndërhyrjeve nga jashtë, by default, dhe nuk bën fare çudi që dikush mund të ndërhyjë. Besimi mund të rivendoset vetëm në varësi të rezultateve konkrete, ku dënohet kupola e krimit, dhe jo disa administratorë të rëndomtë. Detyra jonë është të denoncojmë tek organet e drejtësisë mbi fakte të pakontestueshme, të gjithë, në të gjitha nivelet. Denoncime të interpretueshme, vetëm se dëmtojnë imazhin e përpjekjeve të përbashkëta. Kur provat mungojnë, por ka dyshim për keqbërje, bëhet denoncim politik dhe nuk bëhet politikë me padi që vënë në rrezik kauzën. Deri tani kemi zero aksione nga SPAK dhe një vendim gjysmak nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ndaj arsyet për të dyshuar janë të mirëqena. Prishja, që ishte dhe akti më makabër antikushtetues, as nuk u mor në shqyrtim, një shenjë e fortë që Drejtësia nuk është imune ndaj ndikimit të politikës.
5.Detyra jonë, është që nga Vendimi i Kushtetueses, të avancojmë kursin e aksionit për të drejtën, në nivel penal dhe administrativ në të njëjtën kohë, dhe përtej sistemit gjyqësor shqiptar nëse ekzistojnë mundësitë.
Lajm në përditësim