Çmimi i Nobel për Paqen për vitin 2025 është fituar nga aktivistja dhe liderja e opozitës së Venezuelës, Maria Corina Machado.
Në njoftimin e saj në ‘X’, Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel bëri me dije se çmimi iu dha Maria Corina Machado, për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës.
Po ashtu në njoftim theksohet se Maria Corina Machado ka luftuar për një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci.
“Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel ka vendosur t'i japë Çmimin Nobel për Paqen 2025 Maria Corina Machado-s për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”, thuhet në njoftimin në ‘X’.
Machado është lidere e opozitës së Venezuelës, e cila për vite me radhë ka luftuar kundër regjimit të Nikola Maduros. Ajo drejton forcën më të madhe opozitare në Venezuele.
Vitin e kaluar Bashkimi Evropian, Maria Corina Machado-s së bashku me një politikan tjetër të opozitës venezueliane, Edmundo Gonzalez Urrutia-n, i dha çmimin për të drejtat e njeriut
Një nga emrat që u përfol për fitimin e çmimit Nobel për paqen ishte edhe presidenti amerikan Donald Trump, për përpjekjet e këtij të fundit për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit.
Donald Trump ka deklaruar më herët se do të ishte një ofendim ndaj SHBA nëse ai nuk fiton Nobelin per Paqe. Kandidaturat paraqiten brenda 31 Janarit të çdo viti dhe ato behen publike 50 vjet pas shpalljes se fituesit.
Komente
