Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar mban një koncert në sallën e Universitetit të Arteve këtë të premte më 31 janar në orën 18:00. Me dirigjent Maurizio Dones dhe solist Amedeo Ciçhese (violonçel) do të interpretohen: Felix Mendelssohn uverture “The Hebrides” (Fingal’s Cave) op. 26, Robert Schumann- Koncert për violonçel dhe orkestër op. 129, Felix Mendelssohn- Simfonia Nr 4 “Italiana” në la maxhor, Op. 90.
2. Shfaqja teatrale “Hijet- Euridika thotë“ nga Jelinek do të shfaqet në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te ArTurbina në Tiranë më 31 janar dhe në 1 shkurt në orën 19:00. Elfriede Jelinek-u i qaset mitit të Orfeut – në pjesën “Hije. Euridika thotë”, dhe eksploron mundësinë e të folurit nga një perspektivë e re. Kjo pjesë është një bashkëpunim midis Teatrit Eksperimental „Kujtim Spahivogli“ dhe theater.punkt / Sabine Mitterecker, e cila do të vihet në skenë në anglisht me titra shqip.
3. “Një martesë, një divorc, një funeral” është komedia me regji të Rovena Lules që do të shfaqet në teatrin “A. Z. Çajupi” në Korçë më 31 janar dhe 1 shkurt në orën 19:00. Në shfaqje interpretojnë aktoret Olta Daku, Zamira Kita, Egla Ceno, Paola Kodra.
4. Teatri “Mes nesh” do të shfaqet në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë më 1 shkurt në orën 18:00. “Mes nesh” është një dramë origjinale që sjell në qendër një marrëdhënie komplekse mes një nëne dhe një vajze, duke u fokusuar në mënyrën se si shoqëria ndikon dhe përcakton dinamikën e kësaj marrëdhënieje
5. “Bota e Mendjes” është shfaqja nga Renato Lleshi që do të vijë këtë të premte më 31 janar në orën 18:00 në sallën “Ferdinand Deda” të Radio Televizionit Shqiptar. Kjo shfaqje eksploron lidhjen midis shëndetit mendor, identitetit dhe vetë-shprehjes përmes kërcimit dhe muzikës. Shfaqja do të vijohet nga një bashkëbisedim me psikoterapisten Dr. Irena Hysenaj, me fokus ndërveprimin mes psikologjisë, muzikës dhe artit të performancës.
6. “Princeshat dhe bizelja magjike” është muzikali që do të vijë për të vegjlit në Teatrin e Kukullave këtë fundjavë më 1 dhe 2 shkurt në orën 10:30.