Edicioni i VII i 100 Vjet Muzikë në Korçë çelet më 13 prill në orën 19:00 në teatrin e qytetit. Në skenë do të vijnë veprat e krijuesve korçarë dhe të huaj. Në natën e parë do të interpretojë Ansambli i Harqeve “Harmonia Albanica” me dirigjent Eno Koçon dhe udhëheqës artistik Lorenc Radovanin.
Mbrëmjen e kësaj të shtune në orën 18:00 në kinema “Millenium” në Tiranë çelet “Italian Screens-Kinemaja e re italiane”. Filmi i parë që do të prezantohet është “Gloria!” nga Margherita Vicario. Filmi ka marrë 3 nominime dhe fituar një çmim në Nastri d’Argento.
“Festival Alba” përmbyll edicionin e tretë me një koncert në Kishën Katolike në Tiranë mbrëmjen e kësaj të diele, më 13 prill, në orën 20:00. Nën tingujt e “Stabat Mater”, do të mund të udhëtohet në kohën e artë të muzikës baroke me veprat e kompozitorëve të shquar G.B. Pergolesi dhe L. Leo, emra që kanë lënë gjurmë në historinë muzikore të shek. XVIII.
Ekspozita “Jeta dhe vdekja” nga Faton Kryeziu vijon të qëndrojë e çelur në galerinë “Gocat” te Piramida në Tiranë.
“Gjenerata e imazheve” i Johannes Gierlinger është filmi dokumentar që shfaqet mbrëmjen e 12 prillit në orën 18:00 tek Vila 31 në kuadër të “Vila 31 x Art Explora”. Pas filmit do të ketë një diskutim me regjisorin austriak Johannes Gierlinger dhe artisten shqiptare Redina Qose.
“Një përshëndetje artistike” nga Cirku Kombëtar do të vijë në skenën e Teatrit të Kukullave më 12 dhe 13 prill, në orën 17:00 te Teatri i Kukullave në Tiranë.
“Rrugica e Dashuriçkave - The Street Party” është aktiviteti që do të mbahet në Pazarin e Korçës më 12 prill në orën 18:00.
Komente
