Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.
1. “Çeço Fest”, dy ditë me muzikë në kalanë e Gjirokastrës
“Çeço Fest” vjen në Gjirokastër për të gjashtin vit radhazi në vendin më të bukur, Kalanë e Gjirokastrës. Duke filluar nga mbrëmja e sotme mund të shijoni dy ditë intensive me performanca nga artistë të njohur.
2. “Himara open cinema”, filma në kinemanë “N’plazh”
Një javë e larmishme nën yjet e Himarës në kinemanë “N’plazh” po vijon në këto ditë vere, që prej 4 gushtit. Mbrëmjen e kësaj të enjteje, banorët e Himarës dhe pushuesit mund të shohin në orën 20:00 në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Pano Nikolla Meniko”, filmin “Dirty Dancing” (1987), ndërsa të premten mund të shohin filmin “Anyone But You” (2023).
3. “Dua Fest” sjell plot artistë e Shkodrën Elektronike
“Dua Fest” do të vijë në Shkodër mbrëmjen e 8 gushtit prej orës 21:00 në Kalanë e Rozafës me pjesëmarrjen e “Shkodra Elektronike”, Aleksandër Gjoka, Alban Skënderaj etj.
4. “Vgjeshta e legjendave”, për herë të dytë në Divjakë
“Vgjeshta e legjendave” është festivali që vjen në Divjakë në edicionin e tij të dytë. Mbrëmjen e kësaj të mërkure, në orën 20:30 në sheshin qendror të qytetit do të shfaqet filmi “Pylli i Lirisë”, ndërsa të premten në mbrëmje në po të njëjtën orë në Parkun Kombëtar të Divjakës do të mbahet mbrëmja poetike “Poezi nën yje” me pjesëmarrjen e aktoreve Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Elia Zaharia dhe Luli Bitri.
5. “Festa e Miqësisë” në qendër të qytetit të Fierit
Festa e Miqësisë mbërrin në Fier prej 8 deri më 10 gusht në sheshin “Nënë Tereza” të qytetit për tre net me birra, muzikë dhe miqësi.
6. “Verë në Kolonjë”, koncerte gjatë gjithë muajit gusht
“Verë në Kolonjë” është aktiviteti që do të mbahet përgjatë muajit gusht në Ersekë. Mbrëmjen e kësaj të premteje në sheshin “Rilindja” të qytetit, në orën 20:00, do të interpretojë këngëtarja Maria Furxhi.
7. “Porto Palermo Festival”, koncerte me artistë të ndryshëm
“Porto Palermo Festival” vijon të mbahet në kalanë e Porto Palermos. I organizuar dhe drejtuar nga Olen Cesari, mbrëmjen e kësaj të enjteje, për të pranishmit do të interpretojë këngëtarja Aurela Gaçe, ndërsa të premten interpretojnë Ardian Trebicka e Kastriot Tusha.
8. “Rrënjë të njëjta, zëra të ndryshëm” në pedonalen e Korçës
Koncerti “Rrënjë të njëjta, zëra të ndryshëm” do të mbahet te Kulla në Pedonalen e Korçës mbrëmjen e kësaj të premteje prej orës 19:30.
9. “Nona” sjell gatimet tradicionale të gjysheve në Përmet
Festivali “Nona” në Përmet do të sjellë për tre ditë, nga 8 deri në 10 gusht gatime tradicionale të gjysheve tona, si dhe surpriza, artistë, emocione e plot rrëfime.
Komente
