Kultura

Aktivitetet kulturore/ Çelet Festivali Letrar Ndërkombëtar për të rinj! Një udhëtim mes realitetit dhe nën-ndërgjegjes, ekspozitë në ‘Mag Design Art’

7 Tetor, 12:50| Përditesimi: 7 Tetor, 12:53

  • Share

Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.TIRANË, ÇELET FESTIVALI LETRAR NDËRKOMBËTAR PËR TË RINJTË

Festivali Letrar Ndërkombëtar për të rinj “Tirana Gate 2025” çel dyert e tij nesër në orën 18:00 në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Tema e këtij viti është “Mesdheu dhe Evropa në Letërsinë Bashkëkohore”, ndërsa ftohet të marrin pjesë të gjithë shkrimtarët, poetët dhe artistët e rinj. 30 figura të njohura të letërsisë nga Shqipëria, Italia, Greqia, Turqia, Suedia, Kosova dhe Mali i Zi do të jenë të pranishme në panelet e diskutimit dhe do të ndajnë leximet e tyre gjatë tre ditëve të festivalit.

2.PUNËTORI KRIJUESE PËR FËMIJËT TE “MARUBI” NË SHKODËR

Punëtoria krijuese “Dritë-hije” (Shadow Stories) do të mbahet te Muzeu i Fotografisë “Marubi” në Shkodër ditën e nesërme nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Punëtoria do të udhëhiqet nga mentorja Jozefina Vokrri, ndërsa pjesëmarrës do të jenë 15 fëmijë të moshës 6–12 vjeç. Përmes këtij aktiviteti argëtues dhe edukativ, fëmijët do të zbulojnë lojën magjike mes dritës dhe hijes. Duke përdorur ndriçim artificial dhe silueta të prera nga fotografitë e arkivit, ata do të krijojnë kompozime të reja, duke parë se si drita formëson hapësirën, ndryshon intensitetin dhe transformon format.

3. “SFIDAT E ARTIT BASHKËKOHOR”, TRYEZË DISKUTIMI PËR “TEMPO”

“Sfidat e Artit Bashkëkohor” është tryeza e diskutimit në kuadër të ekspozitës “Tempo” nga Jakup Ferri, që do të mbahet nesër në orën 10:30 në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë.

4. “NDJESI”, ESKPOZITË NGA EMJONA STASI TE “NIKOLET VASIA”

 “Ndjesi” është ekspozita nga Emjona Stasi, që çelet ditën e nesërme në orën 18:00 në galerinë “Nikolet Vasia” në Durrës. Ekspozita vjen e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka.

5. JAVA KULTURORE GJERMANE, KONCERT NË TEATRIN “PETRO MARKO”

Një mbrëmje e veçantë muzikore do të vijë në teatrin “Petro Marko” në Vlorë mbrëmjen e nesërme në orën 18:30 me saksofonistin gjerman Ralf Benschu dhe pianisten Elham Peyman. Koncerti vjen në kuadër të Javës Kulturore Gjermane.

6. REALITETI DHE NËNNDËRGJEGJA, EKSPOZITË E DISA AUTORËVE

“Dreamscape – Një udhëtim mes realitetit dhe nën-ndërgjegjes” është ekspozita me autorë artistët Ardian Isufi, Ardian Kapo, Artan Marku, Artan Peqini, Ergys Krisiko, Helidon Haliti e Sadik Spahija, që do të çelet mbërmjen e nesërme në orën 19:00 në “Mag Design Art” në Tiranë

7. “ANTIMUZEU”, SHFAQET NË TIRANË PREMIERA E FILMIT TË ANIMUAR

Filmi i shkurtër i animuar “Antimuzeu” do të shfaqet premierë mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 te kinema “Maks Velo” në Tiranë.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?