Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“LA TRAVIATA”, KRYEVEPRA E VERDIT PËR KATËR NET NË TKOB
Një nga kryeveprat më të dashura të kompozitorit Giuseppe Verdi, “Traviata”, rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me një produksion të jashtëzakonshëm nën vizionin e mjeshtrit Hugo de Ana. Në qendër të “La Traviatës” qëndron historia prekëse e Violetës, gruas që sfidoi normat e kohës dhe guxoi të jetojë dashurinë e saj deri në fund. Shfaqja do të vijë për publikun më 26, 27, 28 dhe 29 shtator në orën 20:00 nën drejtimin e dirigjentit, Francesco Ommassini.
2. “BALKAN JAZZ SHOWCASE” NË EDICIONIN V NË TIRANË DHE VLORË
Një festival që sjell në zemër të Tiranës yje ndërkombëtarë, virtuozë të jazz-it, talente të reja dhe projekte unike që bashkojnë traditën ballkanike dhe mesdhetare me shpirtin modern të jazz-it, “Balkan Jazz Showcase 2025” do të mbahet këtë vit në Vlorë dhe në Tiranë nga 25–28 shtator, në teatrin “Petro Marko” në Vlorë dhe në sallën e madhe të Universitetit të Arteve.
3. ABAZ HADO E KAMURAN GORANCI NË EKSPOZITË TË PËRBASHKËT
“Dy botë, një realitet” është ekspozita e Abaz Hados dhe Kamuran Gorancit, që do të çelet te Galeria e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës mbrëmjen e sotme në orën 19:00. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 4 tetor.
4. “CHECK-IN FESTIVAL” ME MUZIKË ELEKTRONIKE DHE ROCK
Edicioni i pestë i Check-In Festival zbarkon në Tiranë për dy net të paharrueshme me artistë ndërkombëtarë dhe skenë rock n’roll që ndez qytetin. Më 26 shtator Booka Shade, Trentemøller (DJ Set), Rea dhe Nijø sjellin tinguj elektronikë që do të kthejnë Tiranën në epiqendrën e muzikës moderne, ndërsa më 27 shtator, adrenalina e rock-ut pushton skenën me Attitude Guns N’ Roses Tribute Band dhe artistë të tjerë surprizë.
5. “MODUS OPERANDI”, SHFAQJE NË PALLATIN E KULTURËS NË LEZHË
“Modus Operandi” është pjesa teatrore që do të shfaqet në Pallatin e Kulturës “Dedë Ndue Lazri” në Lezhë më 26 shtator në orën 19:00.
6. KOMEDIA “KURRË NJË HERË TJETËR” NË TEATRIN BYLIS NË FIER
Komedia franceze “Kurrë një herë tjetër” do të shfaqet te Teatri “Bylis” në Fier më 26 dhe 27 shtator në orën 19:00.
7. “TREGIME FSHATI” NË NEPRAVISHTË PËR TRADITËN E TRASHËGIMINË
Më 26 e 27 shtator në oraret 11:30 deri në 19:30, Nepravishta në Gjirokastër bëhet pjesë e rrugëtimit të “Tregime Fshati”. Aktiviteti do të sjellë dy ditë të mbushura me histori, shije dhe përvoja autentike: nga mikpritja e bujtinave dhe tryezat me komunitetin, tek tingujt e polifonisë dhe udhëtimi shpirtëror drejt Teqesë së Melanit.
8. ARBEN TREBICKA SJELL “GJURMË TË FËMIJËRISË SË SHKUAR”
“Gjurmë të Fëmijërisë së Shkuar” është ekspozita që do të çelet në bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë më 26 shtator në orën 11:00. Ekspozita ka si autor Arben Trebickën, i cili prej vitesh krijon dhe koleksionon lodra e artefakte të fëmijërisë para viteve ’90-të.
Komente
