Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“BABAI”, SHFAQJA PREMIERË E ZELLER NË TEATRIN KOMBËTAR
“Babai” është shfaqja teatrore që do të vijë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sonte në orën 20:00 për të vijuar edhe më 10, 11 dhe 12 tetor. Me autor Florian Zeller në të interpretojnë aktorët: Viktor Zhusti, Egla Ceno, Pjerin Vlashi, Linda Jarani e Adriana Tolka.
2. “FËMIJËT” E ERIC VIGNER RIKTHEHET NË TEATRIN “METROPOL”
“Fëmijët” është shfaqja me regji nga Eric Vigner që po vijon të shfaqet te Teatri Metropol. Ajo do të vijë mbrëmjen e sotme e deri më 12 tetor në orën 20:00. Në të interpretojnë aktorët: Luiza Xhuvani, Yllka Mujo e Vasjan Lami.
3. “KOPSHTET E PAVARURA TË LUMTURISË” NË TEATRIN E SHKODRËS
“Kopshtet e pavarura të lumturisë” është shfaqja teatrore me autor Albri Brahushën dhe regji nga Hervin Çuli, që do të vijë premierë te teatri “Migjeni” në Shkodër më 10 deri 12 tetor në orën 19:00.
4. ÇELET EDICIONI IV I FESTIVALIT NDËRKOMBËTAR TË DANCIT
Festivali Ndërkombëtar i Dancit në Tiranë shënon mbrëmjen e sotme çeljen e edicionit të katërt. Nën drejtimin artisik të Angelin Preljocajt, festivali do të çelet në orën 20:00 në sheshin “Skënderbej” për të vijuar deri më 25 tetor. Ai do të mbahet në 11 teatro dhe hapësira të qytetit, me 15 premiera dhe 9 evente publike me hyrje të lirë.
5. NJË NATË ME MUZIKË KLASIKE NË PARKUN E LIQENIT NË TIRANË
Në kuadër të 10-vjetorit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, mbrëmjen e nesërme në orën 18:00, në amfiteatrin “Mirush Kabashi” te Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës mund të ndiqni koncertin “Classic Night Music” me dirigjent Dritan Lumshin e koncertmaestër Ingrid Pulizo. Në skenë do të ngjiten: Kori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Kori i Zërave të Bardhë, nën drejtimin e Sonila Baboçi, solistë të ftuar.
6. FESTA E ULLIRIT NË BERAT, ARGËTIM E MUZIKË ME VASKË CURRIN
Një traditë tashmë e përvitshme, Festa e Ullirit do të mbahet në Bilçë të Beratit këtë të premte në orën 19:00. Për të pranishmit do të interpretojë këngëtari Vaskë Curri.
7. “ETNO KIDS FESTIVAL”, PËR HERË TË PARË NË REHOVË TË KOLONJËS
Për herë të parë në Shqipëri, etnografia vishet nga fëmijët në një festival plot ngjyra dhe kostume. “Etno Kids Festival” shënon edicionin e tij të parë në Rehovë të Kolonjës ditën e nesërme në orën 12:00, ku 200 fëmijë të talentuar do të tregojnë përmes valleve historinë tonë.
8. PANAIRI I ARTIZANËVE, TRE DITË EKSPOZIM I TRADITËS SHQIPTARE
Përgjatë digës së Liqenit Artificial nga 10 deri më 12 tetor në oraret 9:00-20:00 do të zhvillohet Panairi i Artizanëve, një ekspozim 3-ditor i mjeshtërisë shqiptare, ku artizanë nga e gjithë vendi do të sjellin punimet e tyre unike, traditën dhe kulturën e punuar me dorë.
9. CIRKU KOMBËTAR, SHFAQJE NË MJEDISET E KRYEMINISTRISË
Cirku Kombëtar vjen me një shfaqje në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Kryeministrisë ditën e nesërme në orën 10:00.
Komente
