“Secret Pasha”, festa e festivalit të “Porto Palermos”
Në bashkëpunim me Porto Palermo Festival në kalanë e Porto Palermos do të mbahet edhe sonte, në 19 gusht, ‘Afterparty’ Zyrtare e Festivalit. Kjo festë e emërtuar si “Secret Pasha” në bashkëpunim me “Secret Society”, do të nxjerrë në pah heronjtë vendas të Shqipërisë, yjet në ngritje që do të formësojnë skenën e së nesërmes. Nata e dytë do të sjellë të njëjtën energji të pandalshme, por me një kthesë ndërkombëtare: Fahlberg, një nga të huajt më emocionues në skenën globale elektronike, bën debutimin e tij në Shqipëri!
“Gusht n’Lushnjë”, koncert recital i Fatime Kalimashit
Një koncert recital nga Fatime Kalimashi do të mbahet në Lushnjë mbrëmjen e 20 gushtit në orën 20:00 në kuadër të aktiviteteve “Gusht n’Lushnjë”, që sjellin për qytetarët muzikë, arti dhe miqësi.
“Dans Musik Fest” në Lungomare, i ftuar i veçantë Alok
“DansMusik Fest 2025”, festivali i muzikës dans po vijon të mbahet te Lungomare në Vlorë prej 18 gushtit deri në 23 gusht. Muzikë live, surpriza, spektakël e gara vallëzimi janë pjesë e aktivitetit. E veçanta në festival është pjesëmarrja e artistit brazilian të njohur ndërkombëtarisht, Alok, që do të jetë i pranishëm në Vlorë në 22 gusht.
“Seaside Quartet” në Galerinë e Bregdetit në Radhimë
Ekspozita “Seaside Quartet” nga Parasite 2.0 vijon të qëndrojë e çelur që prej 2 gushtit e deri në 16 shtator te Galeria e Bregdetit në Radhimë. Ekspozita buron nga një dialog i vazhdueshëm midis Parasite 2.0 dhe kuratorit Elian Stefa, i bazuar në një pasion të përbashkët për muzikën dhe për hapësirat kolektive të aktivizuara përmes tingullit.
Ekspozita fotografike e Barry Lewis për Shqipërinë e ’90-ës
Në galerinë e artit bashkëkohor “Gocat” pranë Piramidës së Tiranës vijon të qëndrojë e hapur ekspozita “Shot/Reverse Shot” nga fotografi Barry Lewis. Ekspozita sjell për herë të parë në Shqipëri arkivën e rrallë të fotografit britanik Barry Lewis, realizuar fshehurazi në vitet 1990–1991, në një Shqipëri të izoluar, të mbyllur ndaj syrit të jashtëm dhe alergjike ndaj fotografisë përtej propagandës.
“Lost in Generations” në Galerinë e Arteve Digjitale
Ekspozita “LIG” (Lost in Generations) vijon të qëndrojë e hapur te “Galeria e Arteve Digjitale” në Korçë deri më 31 gusht. Mund ta vizitoni falas çdo ditë, nga ora 10:00 deri në orën 20:00.
Komente
