Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. Sonte në orën 19:30 te Reja pranë Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë çelet edicioni i nëntë i festivalit të artit “Reja”. Mbi 100 artistë nga Azerbajxhani, Meksika, Maroku, Greqia, Turqia, Italia, Franca etj., do të mblidhen në Tiranë për performanca të kërcimit bashkëkohor, muzikës, poezisë, bisedave, shfaqjeve festive me ansamble, orkestra, kore dhe DJ.
2. Në kuadrin e Stinës Koncertore 2025, grupi mësimor i degës së Kitarës në Fakultetin e Muzikës në Universitetin e Arteve në Tiranë do të sjellë këtë të mërkurë në orën 19:00 një mbrëmje muzikore në sallën e Universitetit të Arteve.
3. Ekspozita “Paradis Artificiel” (Parajsa Artificiale) vijon të qëndrojë e hapur te Galeria e Artit Tiranë. Ekspozita e çiftit të artistëve Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari (The Tëo Gullivers) sjell një seri vizatimesh me lapsa me ngjyra në kuadrin e një projekti më të gjerë të artistëve.
4. “Nightflix Film Festival” është festivali i filmit me vepra nga kineastë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, që do të çelet këtë të mërkurë, në 21 maj në orën 20:00 në kinema “Agimi” në Tiranë.
5. Shfaqja “Zullulandia” mbi motivet e Faik Konicës vjen premierë te Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” mbrëmjen e sotme, më 21 maj në orën 20:00 me regji dhe dramatizim nga Endri Çela.
Komente
