Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.EKSPOZITË DHE MBRËMJE POETIKE PËR DITËLINDJEN E DRITËROIT
Kjo e hënë shënon ditëlindjen e një prej emrave më të njohur të letërsisë shqipe, shkrimtarit Dritëro Agolli. Për këtë arsye do të mbahen një sërë aktivitetesh. Në qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare në orën 17:00 do të zhvillohet takimi “Dritëro Agolli dhe universaliteti në veprën e tij”.
Në shtëpinë-studio “Agolli” në orën 18:00 do të vijë një ekspozitë e rrallë, në të cilën për herë të parë, do të publikohet një pjesë e dorëshkrimit origjinal të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”, ndërsa do të ekspozohen edhe blloqe shënimesh ku ka gjenezën Zyloja, ekzemplari i revistës “Hosteni” 1972, aty ku romani u botua për herë të pare, letërkëmbime mbi romanin, objekte, portrete origjinale të Dritëroit dhe fotografi të rralla të tij. Ndërsa te bar-libraria “N'Dritëro” në qendër të Tiranës në orën 19:00 do të organizohet një mbrëmje me kujtime dhe poezi.
2.JAVA KULTURORE, ZBULONI JAPONINË ME SEMINAR MBI TURIZMIN
Vijojnë në Tiranë aktivitetet në kuadtër të Javës Kulturore Japoneze. Sot në orën 17:00 do të mbahet seminari mbi turizmin “Zbuloni Japoninë”, ku pjesëmarrësit do të njihen me informacionet kryesore për planifikimin e udhëtimit në Japoni: nga destinacionet më tërheqëse dhe traditat kulturore, tek këshillat praktike për të shijuar plotësisht vendin.
3. ARTISTI I PAKICËS EGJIPTIANE, EKSPOZITË TE GALERIA E TIRANËS
“Nga skutat e skenës së artit” titullohet ekspozita me autor Bardhyl Bukri, që do të çelet sonte në orën 18:00 te Galeria e Tiranës. Duke punuar pranë ndërmarrjes së pastrimit të qytetit “Eco Tirana”, autori transformon mbetjet në krijime të mrekullueshme që tregojnë mundësinë e ndryshimit dhe reflektimit. Ekspozita mbështet dhe promovon kulturën e Pakicës Kombëtare Egjiptiane.
4. STUDENTËT E GRAFIKËS TE ARTET, EKSPOZITË TE GALERIA “FAB”
“Grafika.UART” është ekspozita nga studentët e Atelierit të Grafikës në Universitetin e Arteve, që do çelet te Galeria “Fab” në Tiranë mbrëmjen e sotme në orën 19:00.
5. “TË PARËT DHE TË FUNDIT”, PREMIERË TE TEATRI “METROPOL”
“Të parët dhe të fundit” është shfaqja me regji nga Marius Dhrami që do të shfaqet premierë në skenën e teatrit “Metropol” mbrëmjen e nesërme dhe më 15 tetor në orën 20:00.
6. “SEKRETI I FSHEHUR NË LIBRA”, TAKIME ME AUTOREN RROZHANI
“Sekreti i fshehur në libra” është libri i ri i autores për fëmijë Rovena Rrozhani, që do të promovohet në Tiranë te libraria “Leximtari” mbrëmjen e nesërme në orën 18:00 dhe të martën në orën 19:00 te librari “Valentini”.
Komente
