Kultura

Aktivitetet kulturore/ Ekspresionizmi abstrakt i Nju Jorkut, ekspozitë në Tiranë! 'Nga Bach deri tek Blues' koncert në teatrin e Operas

6 Tetor, 12:57| Përditesimi: 6 Tetor, 13:09

  • Share

Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.NGA BACH DERI TE BLUES, KONCERT NË TEATRIN E OPERAS

“Nga Bach deri tek Blues” është koncerti që do të vijë mbrëmjen e nesërme në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit nën interpretimin e violinistes gjermane Caroline Adomeit dhe pianistes shqiptare Fatma Spahiu.  Në kuadër të vizitës së saj në Tiranë, Caroline Adomeit do të zhvillojë edhe një masterclass për studentët e violinës në bashkëpunim me Universitetin e Arteve. Ky koncert vjen në kuadër të Javës së Kulturës Gjermane 2025 dhe edicionit të 13-të të festivalit “Violinistic Greetings”.

2.UDHËTIM KULTUROR NË SHTEGUN E DYERVE TË VJETRA TË DURRËSIT

“Ecje Tematike në Shtegun e Dyerve të Vjetra të Durrësit” është aktiviteti që do të mbahet në Hamamin Mesjetar në Durrës këtë të martë, më 7 tetor, në orën 16:30. Të pranishmit mund të ndërmarrin një udhëtim kulturor, duke zbuluar histori dhe kujtime që fshihen në zemër të qytetit. Gjatë aktivitetit do të prezantohet edhe loja e re edukative “Zbulo Durrësin”, krijuar për t’i dhënë një dimension lozonjar e kreativ trashëgimisë sonë.

3. EKSPRESIONIZMI ABSTRAKT I NJU JORKUT, EKSPOZITË NË TIRANË

Fletë vizatimi, grafika dhe copa kanavace, pikturuar nga Willem de Kooning, Ernst Kirchner, Arshile Gorky, Henry Moore, Joseph Stapleton, e të tjerë autorë të ekspresionizmit abstrakt do të jenë pjesë e ekspozitës “New York Abstract Expressionism” nga Fabio Thaçi, që do të çelet sonte në orën 18:00 në galerinë “Zeta” në Tiranë.

4. TË RINJTË PËR ARTIN DHE KUJTESËN PËRMES KULTURËS DIGJITALE

“Rinia, Arti dhe Kujtesa- Kultura Digjitale në Veprim” titullohet ekspozita, që do të çelet te Galeria “Zeta” në Tiranë mbrëmjen e sotme në orën 18:00.  Punimet që do të prezantohen janë krijuar nga studentë, të cilët përmes integrimit të artit me inteligjencën artificiale (IA), i kanë dhënë formë kujtesës digjitale.

5. “DJEMTË E KAINIT” PREZANTIM KINEASTEN SHQIPTARE KETI STAMO

“Djemtë e Kainit” (Sons of Cain) është filmi nga Keti Stamo, që do të prezantohet mbrëmjen e sotme në orën 19:00 si pjesë e takimeve “Kineastja” organizuar në bashkëpunim me “Catalyst Story Institute” në mjediset ish-Kinostudios. Pas shfaqjes së filmit do të ketë një bisedë të hapur me autoren.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?