Ermal Meta do të vijë për publikun shqiptar me një koncert në Butrint mbrëmjen e kësaj të shtune në orën 20:00. Ai hap sezonin veror me një event të veçantë në magjinë e Teatrit Antik. Ai do të interpretojë bashkë me pianistin dhe shkrimtarin Davide Antonio Pio dhe një trio elegante me instrumente harkore.
“Kooltur Fest” është aktiviteti që do të mbahet te “Pazari i Ri” në Tiranë në 8 qershor nga ora 17:00 deri në orën 21:00. Aktiviteti bashkon traditën me artin urban bashkëkohor në zemër të Tiranës.
“From West to East” me Ana Naqe dhe Orkestrën Simfonike të Shkodrës është koncerti që do të vijë mbrëmjen e kësaj të shtune në orën 19:00 në sallën e madhe të teatrit “Migjeni” në Shkodër.
Karnavalet e Korçës rikthehen këtë të shtunë në një festë që nuk njeh moshë. Festa që hap sezonin turistik në Korçë, Festivali Ndërkombëtar i Karnavalit do të çelet mbrëmjen e kësaj të shtune, në 7 qershor, në orën 19:00. Parada e Karnavaleve nga Lëndina e Lotëve do të vijojë përgjatë Bulevardit “Republika” dhe Zonës Këmbësore, për të kulmuar te Pazari i Vjetër me një “Carnaval Party”.
Në Pogradec vijon të mbahet Festivali i 19-të mbarëkombëtar i Teatrit të Kukullave. Këtë të shtunë në orën 17:00 do të jetë shfaqja “Xinxifillo”, që do të vijë në sallën e Teatrit të Kukullave “Pirro Xëci” të qytetit. Festivali do të vijojë me shfaqet nga trupat e aktorëve nga Berati, Elbasani, Tetova, Korça, Vlora dhe Tirana.
Komente
